Trumpi kundër shefes së inteligjencës: S’mërzitem çka tha ajo, Irani shumë afër bombës bërthamore - NACIONALE

Trumpi kundër shefes së inteligjencës: S’mërzitem çka tha ajo, Irani shumë afër bombës bërthamore

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kontestuar vlerësimin e shefes së Inteligjencës Kombëtare të ShBA-së, Tulsi Gabbard, në lidhje me atë se sa janë zhvilluar kapacitetet bërthamore të Iranit dhe tha se Teherani është buzë prodhimit të një arme bërthamore.

Kur u pyet se cili është mendimi i tij personal për atë se sa afër sigurimit të një arme bërthamore është Irani, duke e marrë parasysh faktin se zonja Gabbard ishte deklaruar vetëm para pak muajve, Trumpi tha: “Shumë afër”, raporton televizioni CNN.

Më pas, kur iu theksua se zonja Gabbard, në dëshminë e saj, kishte vlerësuar se Irani nuk ishte duke ndërtuar armë bërthamore, presidenti amerikan tha: “Unë nuk mërzitem se çka tha ajo. Mendoj se ata (iranianët) ishin shumë afër pasjes së saj (armës bërthamore).”

Në mars të këtij viti, Gabbard kishte thënë se komuniteti i inteligjencës “vazhdon të vlerësojë se Irani nuk është duke ndërtuar një armë bërthamore dhe lideri suprem Khamenei nuk ka autorizuar një program të armëve bërthamore, të cilin ai e kishte pezulluar në vitin 2003”.

Siç kishte raportuar televizioni CNN, në vlerësimet e inteligjencës amerikane ishte arritur konkludimi se Irani jo vetëm që nuk ishte duke e ndjekur në mënyrë aktive prodhimin e një arme bërthamore, por gjithashtu ishte deri në tre vjet larg të qenët i aftër për të prodhuar dhe aktivizuar një armë të tillë te një cak që do të donte ta përzgjedhte, sipas katër personave të afërt me çështjen.

Megjithatë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është në një vijë me Trumpit dhe ka argumentuar disa herë se Irani është afër sigurimit të një arme bërthamore.

Kur u pyet të dielën në një intervistë nëse kishte ndryshuar diçka mes fundit të marsit dhe kësaj jave dhe nëse inteligjenca amerikane kishte vlerësim të gabuar, Netanyahu tha: “Inteligjenca që ne e kemi dhe që e kemi ndarë me Shtetet e Bashkuara ishte absolutisht e qartë, ishte absolutisht e qartë se ata ishin duke punuar në një plan sekret për ta shndërruar uraniumin në armë.”/Nacionale

Lajme të ngjashme