Trumpi kërcënon BBC-në me padi, raportohet se do të kërkojë shumë marramendëse - NACIONALE

Trumpi kërcënon BBC-në me padi, raportohet se do të kërkojë shumë marramendëse

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Televizioni publik britanik, BBC, raportoi të hënën se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka dërguar një letër me të cilën ka kërcënuar se do të ndërmarrë veprime ligjore për mënyrën se si ishte redaktuar një fjalim i tij në një dokumentar të transmetuar në këtë televizion.

Trumpi do të kërkojë dëmshpërblim prej 1 miliard dollarësh, i tha të hënën agjencisë së lajmeve AFP një burim i afërt me ekipin ligjor të kreut të Shtëpisë së Bardhë. Një zëdhënës i këshilltarit të presidentit e konfirmoi raportin për kërcënimin me padi, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

“BBC-ja e diskreditoi presidentin Trump përmes redaktimit të qëllimshëm dhe në mënyrë mashtruese të dokumentarit të saj me qëllim që të përpiqej dhe të ndërhynte në zgjedhjet presidenciale. Presidenti Trump do të vazhdojë që t’i mbajë përgjegjës ata që vënë në qarkullim gënjeshtra, mashtrime dhe lajme të rreme” – tha zëdhënësi në një deklaratë për agjencinë AFP.

Drejtori i përgjithshëm dhe shefja e lajmeve në BBC dhanë dorëheqje të dielën pas akuzave për njëanshmëri dhe redaktim hutues të një fjalimi të Trumpit më 6 janar 2021, para se një turmë e mbështetësve të tij ta sulmonin Capitolin në Uashington.

Kur u pyet për letrën e Trumpit ku kërcënohet me veprime ligjore për incidentin, BBC-ja në një deklaratë të lëshuar të hënën tha: “Ne do ta shqyrtojmë letrën dhe do të përgjigjemi drejtpërdrejt në kohën e duhur.” Televizioni nuk dha hollësi të tjera.

Dokumentari me titullin “Trump – një Mundësi e Dytë?” ishte transmetuar si pjesë e serive të programit “Panorama” të BBC-së disa ditë para zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar në ShBA.

Në dokumentar ishin bërë bashkë tri citate nga dy pjesë të fjalimit të Trumpit në vitin 2021, të dhëna pothuajse me një orë dallim mes njëra-tjetrës, në atë që dukej si një citat në të cilin Trumpi u bënte thirrje mbështetësve që të marshonin me të dhe “të luftonin si ferri”./Nacionale

Lajme të ngjashme