Trumpi ka shëndet të shkëlqyer, thotë mjeku i Shtëpisë së Bardhë - NACIONALE

Trumpi ka shëndet të shkëlqyer, thotë mjeku i Shtëpisë së Bardhë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka “shëndet të shkëlqyer fizik dhe njohës”, sipas mjekut të Shtëpisë së Bardhë, Kapiten Sean Barbabella.

Në kontrollin e parë gjatë mandatit të dytë presidencial në një spital në zonën e Uashingtonit, u zbulua se presidenti amerikan gjithashtu kishte vragë “në veshin e djathtë nga një plagë prej qitjes me pushkë”, pas vrasjes në tentativë kundër tij vitin e kaluar, raporton televizioni BBC.

“Presidenti Trump mbetet me shëndet të shkëlqyer, duke shfaqur funksione të fuqishme kardiake, pulmonare, neurologjike dhe funksione të përgjithshme fizike” – tha në një dokument mjeku i tij.

Në moshën 78-vjeçare, Trumpi ishte presidenti më i moshuar që erdhi në krye të Shtëpisë së Bardhë në janar, edhe pse paraardhësi i tij, Joe Biden, ishte më i moshuar – 82 vjeç – në kohën kur u largua nga pushteti.

Si pjesë e një ekzaminimi mjekësor gati 4-orësh në spitalin “Walter Reed” në Bethesda të Maryland-it, Trumpit iu bënë disa teste gjaku, një ekzaminim kardiak dhe ultrazëri, tha mjeku i tij, i cili më parë ka shërbyer në Irak e Afganistan dhe është i specializuar në mjekësinë urgjente në forcat detare amerikane.

“Presidenti Trump shfaq shëndet të shkëlqyer fizik dhe njohës dhe është tërësisht i përshtatshëm për t’i ekzekutuar detyrat e Komandantit Suprem dhe Kreut të Shtetit” – tha më tutje mjeku Barbabella në dokumentin e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë të dielën.

Presidentit iu bënë teste neurologjike rreth statusit mendor, nervave, funksioneve motorike dhe të ndjeshmërisë si dhe të reflekseve dhe ai nuk shfaqi shenja të depresionit apo ankthit, sipas dokumentit.

Bababella tha se Trumpi iu nënshtrua edhe Vlerësimit Njohës të Montrealit (MoCA) dhe shënoi 30 pikë nga 30 të mundshme. Ky test përdoret zakonisht për të zbuluar rënie të aftësive njohëse dhe shenja të hershme të demencës dhe përfshin detyra si emërtimi i kafshëve, vizatimi i një ore dhe përsëritja e fjalëve pas pesë minutave.

Duke folur me gazetarë në aeroplanin zyrtar “Air Force One” të shtunën, Trumpi tha se “iu përgjigj saktë secilës pyetje” në testin njohës (kognitiv).

Trumpi përdor disa ilaçe për kontrollimin e kolesterolit, Aspirin për shëndetin kardiak si dhe një krem për lëkurë, thuhet në dokument.

Mjeku Barbabella shkroi se ekzaminimi kardiak i Trumpit “nuk shfaqi abnormalitete”. Sipas të dhënave të Dr. Barbabella-s, Trumpi peshon 101 kilogramë./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme