Trumpi i vazhdon fyerjet, e quan “të shëmtuar” gazetaren e “The New York Times” - NACIONALE

Trumpi i vazhdon fyerjet, e quan “të shëmtuar” gazetaren e “The New York Times”

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të enjten ofendoi një reportere të gazetës “The New York Times”, duke e quajtur “të shëmtuar brenda e jashtë” në fyerjet e tij më të reja personale kundër grave gazetare, pasi javën e kaluar një tjetër e quajti “derre”.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin “Truth Social”, Trumpi e kritikoi gazetën e njohur për një artikull ku sugjerohej se atij po i humbte energjia në moshë tashmë 79-vjeçare, duke këmbëngulur se “kurrë nuk kam punuar kaq fort në jetën time”, shkruan gazeta “The Guardian”.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë e vuri në shënjestër në mënyrë specifike njërën nga autoret. “Autorja e artikullit, Katie Rogers, e cila është e caktuar që të shkruajë vetëm gjëra të këqija për mua, është reportere e kategorisë së tretë [dhe] që është e shëmtuar, brenda e jashtë” – shkroi presidenti amerikan.

Thashethemet për shëndetin e Trumpit kanë qenë duke qarkulluar me muaj. Më shumë pyetje u ngritën pasi presidenti pranoi se i ishte nënshkruar rezonancës magnetike muajin e kaluar. Ai pretendoi se kjo ishte pjesë e kontrollit standard mjekësor dhe nuk tregoi se cila pjesë e trupit i ishte kontrolluar me këtë metodë.

Të martën, gazeta “The New York Times” raportoi se Trumpi po shfaq “shenja plogështie”, përderisa “po ballafaqohet me realitetet e moshës në pushtet”.

Trumpi, i cili tani është presidenti më i moshuar ndonjëherë në historinë e Shteteve të Bashkuara, thuhet se ishte paraqitur si i përgjumur në një organizim në Zyrën Ovale më 6 nëntor, ku “kapakët e syve u ulën derisa sytë i kishte pothuajse të mbyllur dhe dukej sikur po kotej e po zgjohej për disa sekonda”.

Zëdhënësi i gazetës, Charlie Stadtlander, në një deklaratë tha: “Raportimi i The Times është i saktë dhe i ndërtuar mbi raportim të dorës së parë të fakteve. Fyerjet personale e me emra nuk e ndryshojnë këtë, e as gazetarët tanë nuk do të ngurrojnë që ta mbulojnë administratën e tij përballë taktikave të frikësimit si kjo.”

Trumpi, i cili ka histori të sulmeve tepër personale ndaj grave gazetare, më pak se dy javë më parë një gazetare të “Bloomberg”-ut iu referua si “derre”./Nacionale

Lajme të ngjashme