Trumpi i kërcënon përsëri me taksa BE-në dhe Kinën - NACIONALE

Trumpi i kërcënon përsëri me taksa BE-në dhe Kinën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të martën u zotua për ta goditur Bashkimin Evropian me taksa dhe tha se administrata e tij ishte duke diskutuar një masë ndëshkuese prej 10 për qind taksë ndaj importeve kineze, sepse fentanili po dërgohej nga Kina në ShBA përmes Meksikës dhe Kanadasë.

Trumpi e bëri kërcënimin e ri me taksa gjatë komenteve para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë një ditë pasi e mori detyrën e presidentit, pa vendosur taksa menjëherë, siç kishte premtuar gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Tregjet financiare dhe grupet tregtare përjetuan lehtësim për një kohë të shkurtër të martën, por komentet më të reja të presidentit amerikan e nënvizuan dëshirën e vjetër të tij për taksa dhe për një afat të ri – 1 shkurt – për taksa prej 25 për qind kundër Kanadasë e Meksikës, si dhe masa rënduese ndaj Kinës e BE-së.

Trumpi tha se Bashkimi Evropian dhe vende të tjera gjithashtu kishin bilance pozitive tregtare shqetësuese me Shtetet e Bashkuara.

“Bashkimi Evropian është shumë, shumë i keq ndaj nesh” – tha ai, duke i përsëritur komentet që i kishte bërë të hënën. “Prandaj, ata do të jenë të përfshirë për taksa. Kjo është mënyra e vetme... për të marrë drejtësi” – shtoi Trumpi.

Presidenti amerikan tha të hënën se ishte duke e shqyrtuar vendosjen e masave ndaj Kanadasë dhe Meksikës, nëse ato nuk ndërmarrin veprime kundër trafikimit të emigrantëve të paligjshëm dhe fentanilit, përfshirë lëndët kimike bazë nga Kina, matanë kufijve të ShBA-së.

Trumpi më parë kishte kërcënuar me 10 për qind taksë ndaj importeve kineze për shkak të tregtisë, por e rirreshtoi këtë me afatin e 1 shkurtit.

Kina tha se është e gatshme për ta mbajtur komunikimin me ShBA-në për t’i “trajtuar si duhet dallimet dhe për ta zgjeruar bashkëpunimin me përfitim reciprok”. Ministria e Jashtme e Kinës tha se synon që të promovojë lidhje të qëndrueshme me ShBA-në./Nacionale

Lajme të ngjashme