Trumpi i bën thirrje Iranit që “të bëhet i mençur” e të nënshkruajë një marrëveshje - NACIONALE

Trumpi i bën thirrje Iranit që “të bëhet i mençur” e të nënshkruajë një marrëveshje

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, me kompani të naftës diskutoi se si të luftohet ndikimi i një bllokade të mundshme disamuajshe i porteve iraniane nga forcat amerikane, tha të mërkurën një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, përderisa Trumpi i bëri thirrje Teheranit që “të bëhet i mençur së shpejti” e të nënshkruajë një pakt.

Bisedimet me shefat e naftës të martën erdhën pas disa ditëve ngërç në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit, gjë që e ka nxitur ShBA-në që t’ia kufizojë Iranit eksportet e naftës përmes një bllokade detare në përpjekje për ta detyruar Teheranin që ta rihapë Ngushticën e Hormuzit për transport detar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Trumpi, i cili ka thënë se Irani mund të telefonojë, nëse dëshiron bisedime, tha se ky shtet “nuk po mund ta bëjë bashkë aktin e vet”. Këto fjalë i shkroi në rrjetin “Truth Social”, para se të zbuloheshin hollësitë e takimit të së martës.

“Ata nuk dinë si të nënshkruajnë një marrëveshje jobërthamore. Më mirë të bëhen të mençur së shpejti” – shkroi presidenti amerikan në rrjete sociale.

“Ata i diskutuan hapat që presidenti Trump i ka ndërmarrë për ta lehtësuar [gjendjen] në tregjet globale të naftës dhe hapat që do të mund t’i marrim për ta vazhduar bllokadën e tanishme me muaj, nëse nevojitet, dhe për ta minimizuar ndikimin te konsumatorët amerikanë” – tha zyrtari i Shtëpisë së Bardhë.

Çmimet e naftës u rritën për gati 4 për qind të mërkurën, pas një raporti fillestar në gazetën “The Wall Street Journal”, në të cilin thuhej se ShBA-ja mund ta zgjatë afatin e bllokadës detare.

Irani është zotuar se do ta vazhdojë pengimin e qarkullimit nëpër Ngushticën e Hormuzit për aq kohë sa kërcënohet, që do të thotë se do të ketë më shumë pengesa ndaj furnizimit me naftë në Lindjen e Mesme shkaku i konfliktit që ka lënë të vrarë mijëra njerëz dhe ka shkaktuar trazirë ekonomike globale.

Teherani të mërkurën paralajmëroi për “veprim të pashembullt ushtarak” kundër bllokimit të anijeve të lidhura me Iranin nga forcat amerikane. Trumpi ka theksuar disa herë se Irani nuk mund të lejohet që të ketë armë bërthamore, ndërsa Teherani thotë se ambiciet e veta bërthamore janë për qëllime paqësore./Nacionale

Lajme të ngjashme