Trumpi e nominon për sekretare të Arsimit ish-shefen e WWE-së, Linda McMahon - NACIONALE

Trumpi e nominon për sekretare të Arsimit ish-shefen e WWE-së, Linda McMahon

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, e ka përzgjedhur bashkëthemeluesen e ligës së famshme të mundjes, WWE, Linda McMahon, për sekretare të Arsimit të Shteteve të Bashkuara.

Si aleate e vjetër e Trumpit dhe bashkudhëheqëse e ekipit të tranzicionit, zonja McMahon e kishte udhëhequr Administratën e Bizneseve të Vogla gjatë mandatit të parë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë dhe ka dhënë miliona dollarë donacion gjatë fushatës së tij presidenciale, raporton televizioni BBC.

Duke e dhënë njoftimin në rrjetin “Truth Social”, Trumpi tha se McMahon do t’i “shfrytëzojë dekadat e saj të përvojës në lidership, dhe të kuptuarit e thellë të arsimit dhe biznesit për ta fuqizuar gjeneratën e ardhshme të nxënësve dhe punëtorëve amerikanë”.

Trumpi e ka kritikuar Departamentin e Arsimit dhe ka premtuar se do të mbyllë atë, por tashmë e ka nominuar zonjën McMahon që ta drejtë këtë dikaster të qeverisë federale.

McMahon ka histori të gjatë me kompaninë WWE dhe me Trumpin, që dikur bënte paraqitje në ndeshjet e mundjes. Ajo e ka bashkëthemeluar ligën e mundjes me bashkëshortin e saj më 1980, por kishte dhënë dorëheqje nga pozita e shefes ekzekutive më 2009 që të garonte për senator, por nuk nuk ishte zgjedhur.

Ajo ka pak prapavijë në fushën e arsimit, por ka shërbyer në bordin shtetëror të arsimit në Connecticut nga viti 2009 deri më 2010.

Ajo është drejtore e bordit të organizatës pro Trumpit, Instituti për Politika “Amerika së Pari”, që do të thotë se konfirmimi i saj nga Senati në pozitën e sekretares së Arsimit është i pritshëm./Nacionale

Lajme të ngjashme