Trumpi e nominon për sekretar të Brendshëm multimilionerin Doug Burgum - NACIONALE

Trumpi e nominon për sekretar të Brendshëm multimilionerin Doug Burgum

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se Doug Burgum, ish-drejtues ekzekutiv i një kompanie softuerike, është i nominuari i tij për sekretar të Brendshëm.

“Ai do ta drejtojë Departamentin e Brendshëm dhe kjo do të jetë fantastike” – tha Trumpi në rezidencën e tij në Florida, duke shtuar se do të bënte një njoftim zyrtar të premten, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Burgum, 68 vjeç, e ka portretizuar veten si konservator tradicional me mendësi biznesore. Ai kishte garuar kundër Trumpit për nominimin e Partisë Republikane për president para se të hiqte dorë dhe të bëhej përkrahës besnik i Trumpit, duke u paraqitur në tubime për grumbullimin e fondeve dhe duke e mbrojtur Trumpin në televizion.

Në organizimin në Florida, ku u pa edhe miliarderi Elon Musk, Trumpi i çmoi të nominuarit e rinj dhe e mbajti njërin nga fjalimet më të gjata që nga fjalimi me rastin e fitores në zgjedhje javën e kaluar.

“Askush nuk e diti që ne do të fitonim në mënyrën si fituam” – tha ai.

Trumpi e ngacmoi Muskun për qëndrimin e tij të vazhdueshëm në rezidencën e presidentit në Florida, Mar-a-Lago. “Nuk mund ta nxjerr nga ky vend. Ai thjesht e do këtë vend dhe mua më pëlqen që e kam këtu” – tha presidenti i zgjedhur për njeriun më të pasur në botë financiarisht.

Lajme të ngjashme