Trumpi e nënshkruan urdhrin që mund ta riklasifikojë marijuanën si drogë më pak të rrezikshme
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, të enjten nënshkroi një urdhër ekzekutiv me të cilin marijuana mund të riklasifikohet si drogë më pak e rrezikshme dhe të happen rrugë të reja për hulumtime mjekësore.
Ky ndryshim do ta largonte marijuanën nga klasifikimi i tanishëm si drogë e Listës 1, krahas heroinës dhe LSD-së, dhe do ta vendoste në Listën 3, bashkë me ketaminën dhe disa steroide anabolike, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Sidoqoftë, riklasifikimi nga Administrata Zbatuese e Drogës nuk do ta bënte marijuanën të ligjshme për përdorim rekreativ nga të rriturit në mbarë vendin, por do të mund ta ndryshonte faktin se si rregullohet përdorimi i saj dhe ta zvogëlojë taksën e lartë ndaj industrisë së kanabisit.
Trumpi tha se kishte marrë shumë telefonata në mbështetje të këtij vendimi dhe potencialit të tij për t’u dalë në ndihmë pacientëve. “Kemi njerëz që më kanë përgjëruar për ta bërë këtë, njerëz që janë në dhimbje të madhe” – tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Në mënyrë të ngjashme. Departamenti i Drejtësisë nën pushtetin e paraardhësit të Trumpit, Joe Biden, e kishte propozuar riklasifikimin e marijuanës si substancë të Listës 3. Ndryshe nga Bideni, Trumpi nuk kishte inkurajim të hapur nga partia e tij për këtë lëvizje. Disa republikanë kanë folur publikisht kundër ndonjë ndryshimi dhe i kishin bërë thirrje presidentit që t’i mbante në fuqi standardet e tanishme.
Shumë shtete amerikane e kanë legalizuar përdorimin rekreativ të marijuanës nga të rriturit ose e lejojnë atë për qëllime mjekësore. Megjithatë, ligjet federale në ShBA kanë mbetur më të rrepta, duke i lënë njerëzit potencialisht subjekt të ndjekjes penale nga organet qendrore.