Trumpi e nënshkruan urdhrin për bllokimin e financimit të radios publike
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një urdhër ekzekutiv që bën thirrje për bllokimin e të gjitha fondeve federale për Shërbimin Transmetues Publik (PBS) dhe Radion Publike Kombëtare (NPR).
Të enjten në mbrëmje, kreu i Shtëpisë së Bardhë pretendoi se të dyja këto organizata mediale janë përfshirë në “mbulim të anshëm e partizan të lajmeve”, raporton televizioni BBC.
Urdhri e udhëzon bordin e Korporatës së Transmetimit Publik, e cila u jep fonde PBS-së dhe NPR-së, që “ta ndërpresë financimin e drejtpërdrejtë” në “nivelin maksimal të lejuar me ligj”.
Më tej, në urdhër thuhet se ky bord duhet “ta refuzojë ofrimin e fondeve në të ardhmen” për organizatat e lajmeve. Televizioni BBC i ka kontaktuar NPR-në dhe PBS-në për koment.
“Se cilat pikëpamje i paraqesin NPR-ja e PBS-ja, nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është që asnjëri entitet nuk paraqet portretizim të drejtë, të saktë ose të paanshëm të ngjarjeve të tanishme para qytetarëve taksapagues” – thuhet në urdhrin ekzekutiv.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se financimi i mediave “jo vetëm që është i dalë jashtë mode dhe i panevojshëm, por i dëmshëm ndaj dukjes së pavarësisë gazetareske” dhe se peizazhi medial është bërë më “i larmishëm”.
Megjithatë, buxheti për CPB-në tashmë është miratuar nga Kongresi deri në vitin 2027.
Më shumë se 40 milionë amerikanë e dëgjojnë radion publike NPR çdo javë dhe 36 milionë shikojnë një televizion lokal të rrjetit PBS çdo muaj, sipas vlerësimeve të tyre.