Trumpi e mbron veten duke e përmendur Obamën: Hodhi bomba, shumë njerëz u vranë - NACIONALE

Trumpi e mbron veten duke e përmendur Obamën: Hodhi bomba, shumë njerëz u vranë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, e ka përmendur kohën e qeverisjes së paraardhësit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Barack Obama, si pjesë të argumentimit kundër heqjes së imunitetit për presidentin e vendit, duke e mbrojtur tërthorazi edhe veten.

Miliarderi Trump u ankua për argumentet e kritikëve kundër imunitetit presidencial, duke thënë të enjten se ai ose një president tjetër i ardhshëm mund të pengohen në situata urgjente nga maturia për të vlerësuar nëse veprimet e tyre ekzekutive mund të çojnë në ndëshkim, raporton televizioni “Fox News”.

“Nuk po flas për veten. Po flas për atë se si cilido president duhet të ketë imunitet, sepse nëse ia hiqni imunitetin presidentit, është shumë e rëndësishme, do të keni një president që nuk do të mund të bëjë asgjë”- tha Trumpi.

Ish-kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se, nëse hiqet imuniteti presidencial, kur një president ndërmerr veprime të njëanshme si drejtues shteti, partia opozitare mund të hartojë menjëherë strategji se si të ndiqet penalisht rivali i saj.

“Kur ai largohet nga pushteti... partia opozitare do ta padisë presidentin që ka bërë diçka që do të duhej të ishte e mirë”- tha Trumpi, duke i përmendur raportimet për gabime ose sulme të gabuara që janë bërë nga paraardhësi i tij me qëllim të luftimit të terroristëve.

“Obama hodhi raketa dhe ato përfunduan duke goditur një çerdhe fëmijësh ose një shkollë ose një bllok banesor. Shumë njerëz u vranë. Mirë, nëse ashtu është puna, ai do të përfundojë i akuzuar, kur të largohet nga pushteti”- shtoi ish-presidenti Trump, i cili synon që të kthehet prapë në Shtëpinë e Bardhë.

Në një raportim të gazetës “The New York Times” të vitit 2019 thuhet se administrata e Obamës kishte vlerësuar se mes 64 e 116 civilë ishin vrarë nga 542 sulme ajrore.

Në këtë aspekt, Trumpi tha se Obama kishte qëllim të mirë, por la të kuptohej se gjërat mund të jenë ndryshe, nëse nuk ka imunitet presidencial.

Më pas, Trumpi sugjeroi se presidenti i tanishëm, Joe Biden, mund të ballafaqohet me një rast edhe më të madh, nëse i hiqet imuniteti presidencial.

“Ai e ka vrarë vendin tonë me politikat e tij. Kufiri është katastrofë. Gjithçka që bën ai është katastrofë. Ajo që e bëri në Afganistan është momenti më i turpshëm në historinë e vendit tonë”- tha Trumpi.

“Mirë, kur ai të largohet nga pushteti, nëse nuk ka imunitet – tani, unë mendoj se është e tmerrshme ajo që ka bërë ai, por ai ndoshta, unë nuk di, por ndoshta kishte qëllim të mirë. Është zor të besohet se kishte qëllim të mirë”- shtoi ai.

Trumpi shprehu besim se Gjykata Supreme do të vendosë në favor të mbajtjes në fuqi të imunitetit presidencial, përderisa vetë po i pret vendimet për rastet në Uashington dhe Atlanta.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme