Trumpi e kritikon ashpër Putinin pas sulmeve të reja në Ukrainë: Absolutisht është çmendur
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kritikuar ashpër homologun e tij rus, Vladimir Putin, pas sulmeve të reja ajrore të forcave ruse në Ukrainë në fundjavë.
Duke shkruar në rrjetin “Truth Social”, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha: “Unë gjithmonë kam pasur një marrëdhënie shumë të mirë me Vladimir Putinin e Rusisë, por diçka i ka ndodhur atij”, raporton televizioni BBC.
“Absolutisht është çmendur! Ai po vret pa nevojë shumë njerëz dhe unë nuk po flas vetëm për ushtarë” – shtoi presidenti amerikan.
“Unë gjithmonë kam thënë se ai e dëshiron tërë Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj, dhe ndoshta kjo po del të jetë e saktë, por nëse ai e do këtë, kjo do të çojë në shkatërrimin e Rusisë!” – paralajmëroi Trumpi.
Në disa komente të tjera para gazetarëve të dielën në mbrëmje, presidenti amerikan tha: “Nuk di se çfarë dreqin i ndodhi Putinit. E kam njohur atë për një kohë të gjatë. Gjithmonë kam kaluar mirë me të, por ai po dërgon raketa në qytete dhe po vret njerëz dhe kjo nuk më pëlqen aspak.”
Kur u pyet se a ishte duke shqyrtuar më shumë sanksione kundër Rusisë, presidenti republikan tha: “Absolutisht.”
Komentet e presidentit amerikan për homologun rus erdhën pasi të paktën 12 njerëz u vranë gjatë sulmeve të forcave ruse në Ukrainë të shtunën.
Ukraina tha se 367 dronë e raketa u hodhën drejt territorit të saj, duke e bërë këtë sulmin më të madh brenda një nate që nga fillimi i luftës në shkurtin e vitit 2022.