Trumpi e fyen kryesindikalistin që po e përkrah Harrisin: Budalla, ata më votojnë mua
Vendimi i sindikatës së Punëtorëve të Bashkuar të Automjeteve për ta përkrahur demokraten Kamala Harris për presidente të Shteteve të Bashkuara duket se e ka zemëruar rivalin e saj, Donald Trump, i cili është kundërpërgjigjur duke e fyer udhëheqësin e kësaj sindikate, të cilin e ka quajtur “person budalla”.
Në një intervistë të re për televizionin “Fox News” të dielën, siç raporton “The Hill”, ish-presidenti për kryetarin e sindikatës së Punëtorëve të Bashkuar të Automjeteve, Shawn Fain, tha: “Shiko, i njoh shumë mirë Punëtorët e Bashkuar të Automjeteve – ata më votojnë mua. Ata kanë një person budalla që i udhëheq, por ata më votojnë mua. Ata do ta duan Donald Trumpin më shumë se kurrë më parë.”
Komentet e Trumpit aludojnë te taksa e ashpër prej 100 për qind që ai e ka propozuar ndaj veturave të importuara. Ekonomistët kanë paralajmëruar se një taksë e tillë do t’i rriste kostot e produkteve për amerikanët, por ish-presidenti ka këmbëngulur në këtë masë, duke thënë se ajo e pasqyron mënyrën se si ai do ta bëjë prioritet industrinë e automjeteve, nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, raporton gazeta "The Guardian".
“Do të marrim një pasuri, por do t’u vënë taksa atyre vendeve të punës. Do ta rikthejmë industrinë e automjeteve dhe do ta bëjmë këtë me taksa” – tha Trumpi.
Sidoqoftë, Fain dhe sindikata që ai e udhëheq – njëra nga më të mëdhatë në ShBA – i dhanë mbështetje zonjës Harris, duke thënë në një deklaratë se ajo ka “të kaluar të dëshmuar për përmbushje të zotimeve për klasën punëtore”.
“Ne mund të kthejmë në pushtet një miliarder që qëndron kundër gjithçkaje për të cilën qëndron sindikata jonë, ose mund ta zgjedhim Kamala Harrisin, e cila qëndron krah për krah me ne në luftën tonë ndaj pangopësisë së korporatave” – thuhet në njoftimin e sindikatës për mbështetje të kandidates demokrate.
Trumpi dhe sindikata Punëtorët e Bashkuar të Automjeteve shpesh kanë shkëmbyer sulme me fjalë. Trumpi ka bërë thirrje që Fain “të shkarkohet menjëherë” gjatë fjalimit të tij në konventën kombëtare të republikanëve në korrik.
Si kundërpërgjigje, sindikata e quajti Trumpin “zgjebe” – term nënçmues për dikë që braktis ose refuzon t’i bashkohet një sindikate të punëtorëve – si dhe biznesmen korporatash, interes kryesor i të cilit është mbrojtja e të pasurve./Nacionale