Trumpi do të takohet me këshilltarë të lartë për të diskutuar rreth Venezuelës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, planifikon që të hënën të takohet me këshilltarë të lartë për të diskutuar rreth Venezuelës, mes temave të tjera, thanë dy burime të afërta me çështjen.
Takimi në Zyrën Ovale, i planifikuar për në orën 17:00 sipas kohës lokale, pritet t’i përfshirë sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe anëtarë të tjerë të lartë të ekipit të Trumpit, thanë burimet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Mbledhja vjen në kohën kur presidenti amerikan e ka shtuar trysninë ndaj Venezuelës për ato që ShBA-ja thotë se janë dërgesa të drogës që vijnë nga ky shtet.
Të shtunën, Trumpi tha se hapësira ajrore mbi Venezuelë dhe përreth saj duhet të konsiderohet “e mbyllur në tërësinë e saj”, por nuk dha hollësi të mëtejme, duke nxitur ankth e hutim në Karakas.
Të dielën, kreu i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi se kishte biseduar me homologun venezuelas, Nicolas Maduro, të cilin Uashingtoni e cilëson si udhëheqës jolegjitim, por Trumpi refuzoi që të jepte hollësi të bisedës.
Administrata e Trumpit ka qenë duke shqyrtuar opsione të ndërlidhura me Venezuelën për ta luftuar atë që e ka portretizuar si rol të Maduros në furnizimin me droga ilegale që kanë vrarë amerikanë. Maduroja ka mohuar se ka ndonjë lidhje me tregtinë e paligjshme të drogës.
Forcat amerikane në rajon janë përqendruar në operacione kundër narkotikëve, edhe pse fuqia e zjarrit që është grumbulluar në atë pjesë të botës i tejkalon bindshëm nevojat e tyre.
Trupat amerikane kanë kryer të paktën 21 sulme ndaj barkave të dyshimta të drogës në Karaibe dhe në Paqësor nga shtatori, duke vrarë të paktën 83 njerëz.
Raportet për veprime të mundshme janë shtuar në javët e fundit, pasi ushtria amerikane ka dislokuar forca në Karaibe në kohën e përkeqësimit të marrëdhënieve me Venezuelën./Nacionale