Trumpi do ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin ShBA – Meksikë - NACIONALE

Trumpi do ta shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në kufirin ShBA – Meksikë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Zyrtarë në ardhje të Shtëpisë së Bardhë kanë njoftuar se administrata e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, do të shpallë gjendje të jashtëzakonshme kombëtare në kufirin e ShBA-së me Meksikën dhe do ta udhëzojë Departamentin e Mbrojtjes për të dërguar forca të armatosura për të “ngritur pengesa fizike” dhe për ta kompletuar ndërtimin e murit kufitar.

E tëra është pjesë e planeve të përvijuara për dhjetë veprime ekzekutive që priten rreth kufirit të hënën, ku përfshihen edhe masa kundërthënëse për t’i dhënë fund shtetësisë amerikane me rastin e lindjes për fëmijët e emigrantëve dhe azilkërkuesit, raporton gazeta “The Guardian”.

“Katër vitet e fundit kanë krijuar një rrezik të madh në masë të papranueshme ndaj sigurisë publike, shëndetit publik dhe sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara për shkak të politikës kufitare të administratës së Bidenit” – tha një zyrtar në ardhje i Shtëpisë së Bardhë në një telefonatë për shtyp.

Ndër veprimet e rëndësishme që priten nga administrata e Trumpit të hënën përfshihet pezullimi i rivendosjes së refugjatëve për të paktën katër muaj, rikthimi i politikës “Qëndro në Meksikë” dhe zbatimi i ndëshkimeve të rënda për krime të caktuara që kryhen nga imigrantë të paautorizuar.

Kur u pyet për shifra specifike të dislokimit ushtarak, zyrtari në ardhje i Shtëpisë së Bardhë tha se këto vendime do t’i lihen sekretarit të Mbrojtjes.

Zyrtari në ardhje gjithashtu refuzoi që të ofronte hollësi rreth operacioneve të mundshme ushtarake që do të vinin në shënjestër kartele të drogës, të cilat administrata amerikane planifikon që t’i fusë në listën e organizatave terroriste.

Lajme të ngjashme