Trumpi dhe Putini janë pajtuar për takim “ditëve në vijim”, thotë Kremlini
Presidentët e ShBA-së dhe Rusisë, Donald Trump dhe Vladimir Putin, janë pajtuar që të takohen “ditëve në vijim”, ka thënë një ndihmës i Kremlinit.
Deklarata erdhi pasi Trumpi tha se ekzistonte “gjasë e mirë” që ai të takohet me homologët nga Rusia e Ukraina fizikisht “shumë shpejt” për ta diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë, raporton televizioni BBC.
Afati i vendosur nga Trumpi për Rusinë që të pajtohet për armëpushim në Ukrainë ose të përballet me sanksione të reja do të skadojë të premten.
Një takim i mundshëm mes Trumpit dhe Putinit do ta pasonte bisedën e emisarit amerikan, Steve Ëitkoff, të mërkurën në Moskë me presidentin rus.
Emisari në të kaluarën ka udhëtuar katër herë për në Moskë, vizita që janë pasuar nga optimizmi i Trumpit, por përfundimisht nuk kanë sjellë ndonjë progres të madh në bisedimet për paqe.
Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov, theksoi se ideja e një samiti trepalësh ShBA – Ukrainë – Rusi u përmend të mërkurën në bisedimet në Moskë, por u citua nga agjencitë ruse të lajmeve të ketë thënë se Rusia e la “pa koment” këtë opsion.
Zelensky la të kuptohet se e përkrah këtë samit, duke shkruar në rrjetin X: “Ne në Ukrainë në mënyrë të përsëritur kemi thënë se gjetja e zgjidhjeve të vërteta mund të jetë vërtet efikae në nivelin e udhëheqësve.”
Ushakovi tha se është arritur pajtim për vendin e takimit mes Trumpit dhe Putinit, ndërsa hollësi të mëtejme do të bëhen publike më vonë.
Zyrtari rus, i cili e këshillon Putinin për çështje të jashtme, tha se të gjitha palët e kanë filluar punën në përgatitjen e hollësive të takimit./Nacionale