Trumpi “bllok” Tuskut, kërkon që në takimin për Ukrainën Polonia të përfaqësohet nga presidenti - NACIONALE

Trumpi “bllok” Tuskut, kërkon që në takimin për Ukrainën Polonia të përfaqësohet nga presidenti

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në minutën e fundit kërkoi që presidenti polak, Karol Nawrocki, të jetë pjesë e telekonferencës për Ukrainën me udhëheqësit evropianë të mërkurën, sipas kryeministrit të Polonisë, Donald Tusk, rival politik i presidentit që pritej të merrte pjesë në këtë ngjarje.

Nawrocki, nacionalist konservator dhe politikan me qëndrime euroskeptike, është aleat i lëvizjes politike populiste djathtiste të Trumpit, MAGA, dhe e vizitoi Shtëpinë e Bardhë gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale në Poloni këtë vit. Ai në qershor e mposhti kandidatin e partisë pro-evropiane të Tuskut, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Pak para mesnatës dje, ne pranuam informacion, krahas partnerëve tanë evropianë, se pala amerikane do të parapëlqente që Polonia të përfaqësohej nga presidenti në kontaktet me presidentin Trump” – tha kryeministri Tusk në një konferencë për gazetarë.

Shtëpia e Bardhë nuk komentoi nëse ShBA-ja kishte kërkuar që presidenti Nawrocki – e jo kryeministri Tusk - të merrte pjesë në konferencën për Ukrainën.

Një zëdhënës i Qeverisë së Polonisë tha të martën se Tusku, ish-president i Këshillit Evropian, do të merrte pjesë në telefonatën me Trumpin.

Megjithatë, këshilltari i presidentit Nawrocki për politikë të jashtme, Marcin Przydacz, iu tha gazetarëve se “nuk kishte informacione se kryeministri Donald Tusk më parë planifikonte që të merrte pjesë”.

Sipas tij, ekipi i Tuskut dëshmoi se nuk ka pasur kontakte të mira me administratën e Trumpit, sepse e kishte përshtypjen se Tusku do të merrte pjesë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Adam Szlapka, tha se Tusku do ta përfaqësonte Poloninë në dy telefonata të mërkurën me udhëheqësit evropianë, por jo me Trumpin. Këshilltari për politikë të jashtme i presidentit polak tha se zyrat e presidentit dhe kryeministrit do t’i shkëmbenin të dhënat rreth takimeve.

Krzysztof Izdebski, drejtor politik në Fondacionin “Batory”, tha se përfaqësimi i Polonisë nga dy kundërshtarë politikë krijon rrezik për porosi të përziera.

“Kjo tregon se, madje edhe në politikën e jashtme, në një çështje të tillë kyçe të sigurisë, ne thjesht jemi pengje të politikave të brendshme dhe një gare të caktuar mes trupave të caktuara qeveritare” – tha ai.

Sipas tij, një situatë e tillë do t’i minojë përpjekjet e Polonisë për ta paraqitur veten si një shtet modern para kombeve udhëheqëse në çështjet politike ndërkombëtare./Nacionale

Lajme të ngjashme