Trumpi arrin në Kinë për takimin e rëndësishëm me homologun Xi
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zbriti shkallëve nga aeroplani “Air Force One” në Pekin të mërkurën në mbrëmje, para takimit me homologun kinez, Xi Jinping.
Gjatë vizitës së tij dyditore, dy superfuqitë botërore pritet të diskutojnë për taksat, konkurrencën në teknologji, luftën e Iranit dhe marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Tajvanin, raporton televizioni BBC.
Trumpi fillimisht kishte planifikuar që ta realizonte këtë vizitë në mars, por ajo ishte shtyrë për shkak të luftës amerikano-izraelite me Iranin, që vazhdon ta godasë ekonominë globale.
Trumpi u prit në tepihun e kuq nga nënpresidenti i Kinës, Han Zheng, i cili është njëri nga zyrtarët më të lartë të ekonomisë së dytë më të madhe në botë.
Ky veprim po lexohet si shenjë e respektit për presidentin amerikan nga Pekini, pasi një zyrtar i rangut më të ulët e kishte pritur Trumpin në vizitën e tij të mëparshme në Kinë.
Trumpi po shoqërohet në vizitë nga djali i tij, Eric Trump, dhe disa shefa të kompanive gjigante amerikane të teknologjisë, përfshirë Elon Muskun e kompanisë “Tesla” dhe Jensen Huangun e kompanisë “Nvidia”.
Tregtia mes dy vendeve ka shënuar rënie viteve të fundit, në kohën e një lufte të përshkallëzuar me taksa dhe kufizime të tjera.
Vitin e kaluar, tregtia reciproke mes dy ekonomive më të mëdha në botë e pati vlerën e 414,7 miliardë dollarëve, dukshëm më pak se 690,4 miliardë dollarët në tregtinë e regjistruar më 2022./Nacionale