Trump i thotë The Atlantic se udhëheqësit iranianë duan të rifillojnë negociatat
‘Kam rënë dakord të flas’
Një ditë pas nisjes së sulmeve ndaj Iranit që vranë Ajatollah Ali Khamenei-n dhe e përfshinë rajonin në luftë, Presidenti Trump i ka thënë gazetarit në "The Atlantic", Michael Scherer-it, këtë mëngjes se udhëheqja e re e vendit dëshiron të flasë me të dhe se ai planifikon ta bëjë këtë.
"Ata duan të flasin dhe unë kam rënë dakord të flas, kështu që do të flas me ta. Ata duhej ta kishin bërë këtë më parë. Ata duhej të kishin ofruar atë që ishte shumë praktike dhe e lehtë për t'u bërë më shpejt. Kanë pritur shumë gjatë," më tha Trump në një telefonatë nga klubi i tij Mar-a-Lago.
I pyetur nëse biseda e tij me iranianët do të zhvillohej sot apo nesër, Trump u përgjigj: "Nuk mund t'jua them këtë." Ai citohet të ketë deklaruar se disa nga iranianët e përfshirë në negociata gjatë javëve të fundit nuk ishin më gjallë.
“Shumica e atyre njerëzve nuk janë më. Disa nga njerëzit me të cilët po merreshim kanë ikur, sepse ajo ishte një—ishte një goditje e madhe," më tha ai. "Duhej ta kishin bërë më parë, Michael. Mund të kishin arritur një marrëveshje. Duhej ta kishin bërë më shpejt. U përpoqën të bënin shumë të zgjuarin."
Dje në mëngjes, në një video të postuar në rrjetet sociale, Trump u bëri thirrje njerëzve të Iranit të ngrihen kundër regjimit aktual sapo fushata e bombardimeve të përfundonte. "Tani keni një president që po ju jep atë që dëshironi. Pra, le të shohim se si do të përgjigjeni," tha ai. "Tani është koha të merrni nën kontroll fatin tuaj dhe të çlironi të ardhmen e begatë dhe të lavdishme që e keni kaq pranë."
Gazetari shkroi ta ketë pyetur Trumpin nëse ishte i gatshëm ta zgjaste fushatën e bombardimeve të ShBA-së kundër Iranit për të mbështetur një kryengritje popullore nëse ajo do të zhvillohej.
A do të vazhdojnë ata të marrin mbështetje nëse duhet pak kohë për të përmbysur regjimin?" tha ta ketë peytur ai. Trump nuk dha një përgjigje përfundimtare. “Më duhet të shoh situatën në momentin kur të ndodhë, Michael. Nuk mund të japësh një përgjigje për atë pyetje,” tha ai.
Por presidenti gjithashtu shprehu besimin se një kryengritje e suksesshme po vinte, duke vënë në dukje shenjat e festimeve në rrugët e Iranit dhe tubimet mbështetëse të iranianëve në mërgim në Nju Jork dhe Los Anxhelos. "Kjo do të ndodhë. Po e shihni, dhe mendoj se do të ndodhë. Shumë njerëz janë jashtëzakonisht të lumtur atje, në Los Anxhelos dhe në shumë vende të tjera," më tha ai.
Trump më tha se ishte i kënaqur me reagimin e popullit iranian deri më tani. "Duke e ditur se është shumë e rrezikshme, duke e ditur që u kam thënë të gjithëve të qëndrojnë aty ku janë—mendoj se është një vend shumë i rrezikshëm tani," më tha ai. "Njerëzit atje po bërtasin në rrugë nga lumturia, por në të njëjtën kohë, po bien shumë bomba."
Për vite me radhë, komuniteti i inteligjencës së ShBA-së ka gjurmuar dhe prishur planet e atentateve të drejtuara nga Irani kundër zyrtarëve amerikanë, përfshirë Trumpin, brenda Shteteve të Bashkuara, sipas The Atlantic. Gazetari tha gjithashtu ta ketë pyetur nëse kishte ndonjë tregues për kërcënime të reja iraniane kundër territorit amerikan që nga fillimi i sulmit. "Nuk dua t'jua them këtë," citohet të ketë deklaruar Trump.
Trump argumentoi se ndikimi i sulmit në tregjet e naftës, të cilat rihapen sonte, ka të ngjarë të ishte më pak shkatërrues për xhepat e amerikanëve sesa kishin parashikuar disa analistë, duke pasur parasysh suksesin e hershëm të operacionit. "Mund të kishte qenë një rritje e madhe e çmimeve sa i përket naftës, nëse gjërat shkonin keq," ka deklaruar Trump.