Trump: Hamasi do të çarmatoset – nëse jo, e çarmatosim ne
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, foli të martën para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, ku po e pret për vizitë homologun argjentinas, Javier Milei.
Trupi u pyet se sa kohë do të nevojitet që Hamasi të çarmatoset dhe nëse ai mund të japë garanci se kjo gjë do të ndodhë, raporton televizioni BBC.
“Ata do të çarmatosen, sepse thanë se do të çarmatoseshin. E nëse nuk çarmatosen, ne do t’i çarmatosim” – deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Ai shtoi se zyrtarët amerikanë kanë folur me Hamasin dhe se grupi ka thënë se do t’i dorëzojë armët e veta.
“Ata e dinë se unë nuk po luaj lojëra” – tha më tej presidenti amerikan.
Kur u pyet se çfarë afati do t’i vendoset Hamasit për t’u çarmatosur, Trumpi tha: “Një periudhë e arsyeshme kohore”.