Tronditet kisha në Gjermani: Zbulohen abuzime të reja ndaj të miturve nga 196 klerikë
Një raport i publikuar të hënën ka zbuluar se të paktën 196 klerikë në dioqezën katolike gjermane të Muensterit, kanë abuzuar seksualisht me të mitur midis viteve 1945-2020.
Sipas Associated Press, studimi i porositur nga dioqeza në Gjermaninë perëndimore, i cili mori mbi 2 vjet e gjysmë për t’u përfunduar nga një ekip i Universitetit të Muensterit, vuri në dukje një "dështim masiv të udhëheqjes" gjatë mandateve të peshkopëve të dioqezës midis 1947 dhe 2008, me zyrtarë që mbulonin skandalet ose bënin vetëm ndërhyrje sipërfaqësore.
Bashkëautori i raportit, Thomas Grossboelting tha se, "ipeshkvijtë dhe zyrtarët e tjerë në udhëheqjen dioqezane në disa raste ishin gjerësisht në dijeni për abuzimet."
196 klerikët e dyshuar abuzues përbëjnë rreth 4% të të gjithë priftërinjve në dioqezë midis viteve 1945 dhe 2020, dhe u zbulua se rreth 5% e tyre ishin abuzues "serial", përgjegjës për më shumë se 10 akte secili.
Në raport thuhet se kishte të paktën 610 viktima, por shifra reale mund të jetë deri në 10 herë më e lartë, ndërsa studimi po ashtu zbuloi se shumica e priftërinjëve të dyshuar për abuzime thjesht ishin zhvendosur në vend që të largoheshin nga detyrat e tyre.
Peshkopi i Muensterit Felix Genn, i cili tha se nuk e ka parë ende studimin dhe planifikon të përgjigjet të premten, doli me një deklaratë ku u kërkoi falje viktimave të abuzimit dhe kërkoi falje për mbulimin nga zyrtarët e kishës. Por ai pranoi se një falje "nuk mjafton" dhe u zotua për "pasoja të mëtejshme" në trajtimin e abuzimit.
Edhe në vitin 2018, një raport i porositur nga kisha arriti në përfundimin se të paktën 3,677 njerëz ishin abuzuar nga klerikët në Gjermani midis viteve 1946 dhe 2014, ku më shumë se gjysma e viktimave ishin 13 vjeç ose më të rinj, dhe gati një e treta shërbenin si djem altar.
Studimi në Muenster është një nga disa që prej asaj kohe janë thelluar në dekada të abuzimeve në dioqeza individuale, ndërsa gjetjet e tyre shtojnë presionin për reformën e kishës.
Në janar, një raport i porositur nga kryepeshkopata e Mynihut fajësonte trajtimin e rasteve të abuzimit nga një varg zyrtarësh të kishës në të kaluarën dhe të tashmen - përfshirë Papa Benediktin XVI në pension, i cili si kardinal Joseph Ratzinger ishte kryepeshkop i Mynihut dhe Freising nga viti 1977 deri në 1982.