Tri shpërthime në një shkollë të mesme në Kabul, së paku katër të vdekur
Tri shpërthime ndodhën në një shkollë të mesme në pjesën perëndimore të Kabulit të martën, duke vrarë disa njerëz, sipas zyrtarëve afganë të sigurisë dhe shëndetësisë.
Shumë banorë në lagjen ku ndodhën shpërthimet i takojnë komunitetit shiit, Hazara, pakicë etnike dhe fetare që shpesh është në shënjestër të grupeve militante sunite, përfshirë ISIS-in.
“Tri shpërthime kanë ndodhur në një shkollë të mesme, ka disa pasoja në njerëz ndaj njerëzve tanë shiitë”, tha Khalid Zadran, zëdhënës i komandantit të Kabulit.
Shefi i departamentit të infermierisë në spitalin ku po trajtohen personat që pësuan nga shpërthimet, që refuzoi të identifikohej, tha se paktën katër persona janë vrarë dhe 14 të tjerë janë plagosur.
Asnjë grup ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm, që erdhi pas një qetësie relative në muajt e dimrit dhe pas tërheqjes së forcave të huaja nga Afganistani vitin e kaluar.
Talibanët thonë se e kanë bërë të sigurt vendin që nga ardhja në pushtet në gusht, por zyrtarët ndërkombëtarë dhe analistët thonë se rreziku për rishfaqjen e militantizmit mbetet dhe ISIS-i e ka marrë përgjegjësinë për disa sulme të mëdha.