Tri dekada pas, boshnjakët i nderojnë viktimat e gjenocidit të Srebrenicës
Mijëra boshnjakë u mblodhën në varrezat afër Srebrenicës të premten për ta shënuar 30-vjetorin e masakrës në të cilën më shumë se tetë mijë burra e djem myslimanë boshnjakë u ekzekutuan nga forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992 – 95.
Rreth 1 mijë viktima ende nuk janë gjetur nga mizoria më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, hija e të cilës ende i ndjek tre milionë banorët e Bosnjës edhe tri dekada më vonë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Familjet që i kanë marrë mbetjet e viktimave gjithnjë e më shumë kanë zgjedhur që të varrosin qoftë edhe pak eshtra vetëm sa për t’u dhënë një vend përfundimtar pushimi.
Në një ceremoni të mbajtur të premten, mbetjet e pjesshme të shtatë viktimave u varrosën pranë 6.750 të tjerave.
Të mbijetuar, familjarë e figura të rëndësishme ecën buzë gurëve të bardhë të varreve. Disa luteshin ose qanin, fytyrën të mbuluar me duar.
Masakra ndodhi pasi Srebrenica – e përshkruar si “zonë e sigurt” për civilët në luftën e Bosnjës nga OKB-ja – u pushtua nga forcat nacionaliste serbe të Bosnjës.
Përderisa gratë kishin vendosur që të shkonin në kompleksin e OKB-së, burrat u munduan që të iknin nëpër pyll, ku shumica u kapën. Disa u vranë menjëherë, ndërsa të tjerë u dërguan në shkolla ose depo, ku u vranë ditëve në vijim.
Gjenerali Ratko Mlladiq, i cili i kishte komanduar këto forca, u dënua për gjenocid nga një tribunal i OKB-së për krime të luftës në Hagë, bashkë me udhëheqësin politik serb, Radovan Karaxhiq./Nacionale