Treni i shpejtë në Indi vret shtatë elefantë që po kalonin mbi binarë
Shtatë elefantë të egër aziatikë u vranë dhe një elefant i vogël u lëndua, kur një tren i shpejtë udhëtarësh u përplas me grumbullin e kafshëve që po kalonin mbi binarë në fundjavë në shtetin verilindor Assam të Indisë, thanë autoritetet lokale.
Vozitësi i trenit e vërejti tufën e rreth 100 elefantëve dhe i përdori frenat urgjent, por treni prapëseprapë goditi disa prej atyre kafshëve, i tha agjencisë së lajmeve “Associated Press” zëdhënësi i Hekurudhave të Indisë, Kapinjal Kishore Sharma.
Pesë vagonë dhe lokomotiva dolën nga binarët pas goditjes, por nuk pati viktima në mesin e njerëzve, bëri të ditur Sharma.
Veterinerët e kryen autopsinë e elefantëve të ngordhur, të cilët u varrosën më vonë gjatë ditës së shtunë.
Vendi ku ndodhi aksidenti është zonë e pyllëzuar rreth 125 kilometra larg kryeqytetit rajonal, Guëahati. Elefantët atje kalojnë shpesh mbi binarë, por Hekurudhat e Indisë thanë në një deklaratë se vendi ku ndodhi rasti nuk është korridor i caktuar për elefantë.

