Shënohen rritje në tregjet evropiane të aksioneve pas masave lehtësuese nga ShBA-ja
Tregjet evropiane të aksioneve e kanë marrë veten, pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan masa përjashtuese nga taksat për disa produkte teknologjike të prodhuara me pjesë nga Kina, përfshirë telefonat e mençur.
Sipas raportimit të televizionit BBC, të hënën paradite u regjistruan këto rritje:
Indeksi gjerman i tregut të aksioneve, DAX, shënoi rritje për 2,39 për qind;
Indeksi britanik FTSE shënoi rritje për 1,96 për qind;
Indeksi francez CAC shënoi rritje për 2,08 për qind.
Rritje e vlerës së aksioneve u regjistrua edhe te kompanitë e lidhura me çipat, “Infineon”, ASML dhe “BE Semiconductor” – mes 2,9 e 4,0 për qind.
Aksionet në indeksin panevropian “Stoxx 600” shënuan rritje për 2,8 për qind.
Zyrtarë kinezë më herët i kanë bërë thirrje presidentit amerikan, Donald Trump, që “t’i anulojë tërësisht” taksat ndaj importeve nga Kina, të cilat tani për tani janë në shkallën prej 145 për qind.
Sidoqoftë, kreu i Shtëpisë së Bardhë ka lënë të kuptohet se edhe masat përjashtuese nga taksat për telefonat e mençur dhe disa produkte të tjera teknologjike të importuara nga Kina mund të jenë në fuqi edhe për një kohë të shkurtër, pasi tha se këtë javë do ta njoftojë shkallën e tarifave ndaj gjysmëpërçuesve të importuar./Nacionale