Trumpi thotë se së shpejti do të shpallë taksa ndaj gjysmëpërçuesve të importuar
Presidenti i Shteteve të Bashkura, Donald Trump, të dielën tha se këtë javë do ta njoftojë shkallën e taksave ndaj gjysmëpërçuesve të importuar, duke shtuar se do të ketë fleksibilitet për disa kompani të këtij sektori.
Zotimi i kreut të Shtëpisë së Bardhë nënkupton që përjashtimi i telefonave të mençur dhe kompjuterëve nga taksat reciproke ndaj Kinës me gjasë do të qëndrojë në fuqi për një kohë të shkurtër, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne dëshiruam që ta çkomplikonim këtë nga shumë kompani të tjera, sepse duam që t’i prodhojmë çipat dhe gjysmëpërçuesit tanë dhe gjëra të tjera në vendin tonë” – tha Trumpi gjatë fluturimit me aeroplanin zyrtar, përderisa po kthehej në Uashington nga prona e tij në West Palm Beach.
Presidenti amerikan refuzoi të tregonte nëse disa produkte si telefonat e mençur mund të përjashtohen edhe më tutje nga taksat e reja, por shtoi: “Duhet të tregoni fleksibilitet të caktuar. Askush nuk duhet të jetë aq i ashpër.”
Më herët gjatë ditës, Trumpi njoftoi një hetim tregtar të sigurisë kombëtare në sektorin e gjysmëpërçuesve.
“Ne do të flasim shumë rreth gjysmëpërçuesve dhe tërë zinxhirit furnizues të pajisjeve elektronike në hetimet në ardhje të sigurisë kombëtare rreth taksave” – shkroi ai në rrjete sociale.
Shtëpia e Bardhë kishte njoftuar përjashtim të disa produkteve nga taksat e larta reciproke të premten, duke dhënë ca shpresë se industria e teknologjisë do të mund t’i shpëtonte konfliktit tregtar që po eskalon mes dy shteteve dhe se produktet e përditshme si telefonat dhe laptopët do të mbeteshin me çmime të përballueshme.
Të premten, Kina i çoi në 125 për qind taksat ndaj importeve amerikane si kundërpërgjigje ndaj tarifave të vendosura nga Uashingtoni.