Tre të vrarë nga sulmet ruse në pjesë të ndryshme të Ukrainës
Rusia raportohet se ka kryer sulme me raketa e dronë në pjesë të ndryshme të Ukrainës, duke lënë të paktën tre të vrarë.
Autoritetet rajonale thanë se tri rastet fatale u regjistruan në rajonet Lutsk në perëndim, Dnipro në lindje dhe Zaporizhia në jug, raporton gazeta “The Guardian”.
Furnizimi me ujë pati pengesa në disa pjesë të kryeqytetit Kiev, tha në rrjetin “Telegram” kryetari i këtij vendbanimi, Vitali Klitschko.
Dëshmitarët raportuan se kishin dëgjuar shpërthime afër Kievit, për të cilat u tha se ishin të mbrojtjes ajrore që po i kundërpërgjigjej sulmit.
Kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal, tha të hënën se “15 rajone u prekën” nga sulmet ruse me raketa e dronë.
Sipas tij, ka të vdekur e të plagosur dhe theksoi se është prekur infrastruktura e energjisë dhe kompania “Ukrenergo” është duke zbatuar ndërprerje urgjente të rrymës për ta stabilizuar sistemin.
Ai gjithashtu e përsëriti thirrjen e Kievit për armë me rreze të gjatë dhe leje nga partnerët për ta lejuar goditjen e caqeve ruse.
Thirrje të ngjashme pati edhe këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak, i cili kërkoi “më shumë pajisje antiraketore për Ukrainën” dhe finalizim të “sanksioneve kufizuara në mënyrë që Rusia të mos mund të jetë në gjendje të riprodhojë raketa balistike, hipersonike e me vetëdrejtim”./Nacionale