Tre të vrarë nga një sulm rus në Sumy të Ukrainës - NACIONALE

Tre të vrarë nga një sulm rus në Sumy të Ukrainës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Tre persona, përfshirë një fëmijë, u vranë nga një sulm rus me dron në qytetin verilindor ukrainas, Sumy, thanë të martën zyrtarët.

Në shënjestër të këtij sulmi, që ishte pjesë e një fushate masive sulmuese gjatë natës ndaj Ukrainës, ishin një lagje banimi dhe infrastruktura kritike, tha në rrjetin “Telegram” guvernatori rajonal, Ihor Kalchenko.

Ai publikoi fotografi të gërmadhave që po digjeshin dhe të shtëpive të dëmtuara, raporton agjencia “Reuters”.

Në një deklaratë, ushtria ukrainase tha se sistemet e mbrojtjes ajrore kishin shkatërruar 42 nga 60 dronët e hedhur nga Rusia në pjesë të ndryshme të Ukrainës. Dhjetë të tjerë “u humbën në aspektin e lokacionit”, thuhet më tej në deklaratën e ushtrisë.

Një grua u plagos të martën herët, kur një dron rus ra në një vendndalim autobusi në qytetin jugor, Kherson, thanë zyrtarët rajonalë.

Rusia mohon se vë në shënjestër civilë gjatë pushtimit të Ukrainës, që nisi në shkurt të vitit 2022, por rregullisht hedh raketa e dronë drejt qendrave të popullsisë prapa vijës së frontit.

Lajme të ngjashme