Tre të vrarë në qendrën tregtare në Bankok, arrestohet një 14-vjeçar
Policia tajlandeze tha të martën se kishte arrestuar një sulmues të dyshuar 14-vjeçar pas të shtënave në një qendër tregtare luksoze në kryeqytetin Bangkok. Shërbimet emergjente thanë se tre persona janë vrarë e katër të tjerë janë plagosur.
Departamenti i Hetuesisë i Policisë Metropolitane tha në faqen e tij në “Facebook” se një sulmues i dyshuar 14-vjeçar ishte arrestuar dhe se i riu po merrej në pyetje për incidentin në qendrën tregtare “Siam Paragon”, raporton agjencia “Reuters”.
Shërbimet emergjente publikuan një fotografi të një polici duke kapur e duke i vënë prangat një personi të shtrirë në tokë.
Në disa pamje të pavërtetuara në rrjete sociale shihen skena kaosi dhe njerëz duke dalë me vrap nga qendra tregtare.
Në njërën prej videove shiheshin njerëz duke u fshehur në një dhomë të errët brenda një restoranti, ndërsa në televizion u panë kolona të gjata veturash pranë qendrës tregtare në mot me reshje të dendura shiu.
Dhuna me armë nuk është e rrallë në Tajlandë. Një ish-polic vrau vitin e kaluar 22 fëmijë në një çerdhe vitin e kaluar gjatë një sulmi me armë zjarri e thikë, ndërsa më 2020, një ushtar vrau me armë të paktën 29 persona e plagosi 57 të tjerë.