Tre punëtorë ukrainas të Kryqit të Kuq vriten nga sulmi rus në Donetsk - NACIONALE

Tre punëtorë ukrainas të Kryqit të Kuq vriten nga sulmi rus në Donetsk

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një sulm rus të enjten la të vrarë tre ukrainas që po punonin për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur në një fshat të rajonit Donetsk, thanë zyrtarët ukrainas.

“Një tjetër krim lufte rus. Sot, pushtuesi sulmoi automjete të misionit humanitar të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit në rajonin e Donetskut” – shkroi në rrjetin X presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, raporton agjencia "Reuters".

Guvernatori rajonal, Vadym Filashkin, duke raportuar për pasojat në njerëz, tha se në shënjestër të sulmit ishte fshati Viroliubivka. Ai njoftimin e dha në rrjetin “Telegram”.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm tha në “Telegram” se punëtorët e Kryqit të Kuq u kishin sjell banorëve thëngjill për ngrohje para dimrit, duke shtuar se ata ishin duke i shkarkuar ndihmat, kur ndodhi sulmi.

Prokurorët thanë se dy punëtorë janë dërguar në spital, ndërsa njëri është në gjendje të rëndë.

Rajoni i Donetskut, që është pjesërisht i pushtuar nga rusët, vihet vazhdimisht në shënjestër të sulmeve ajrore ruse si dhe sulmeve me predha.

Moska mohon se i vë në shënjestër civilët ose infrastrukturën civile gjatë luftës në Ukrainë, edhe pse mijëra njerëz janë vrarë nga sulmet e saj.

Lajme të ngjashme