Tre dronë nga Turqia po e përcjellin flotën e anijeve të nisura drejt Gazës
Turqia u është bashkuar Spanjës, Italisë dhe Greqisë në vëzhgimin e një flote ndërkombëtare të anijeve që po transportojnë ndihma drejt Gazës. Flota po lundronte drejt lindjes nëpër Detin Mesdhe të hënën pavarësisht paralajmërimeve të Izraelit që misioni të ndalet, tregojnë të dhënat e fluturimeve.
Uebfaqet për përcjelljen e fluturimeve treguan se tre dronë për fluturime të gjata, me prejardhje nga baza ajror “Corlu” e Turqisë, kanë qenë duke qarkulluar mbi flotën ndërkombëtare të anijeve qe tri ditë, duke e vënë në pah interesimin ndërkombëtar në rritje për anijet e vogla, drejtuesit e të cilave janë zotuar se do ta thyejnë bllokadën detare izraelite përreth Rripit të Gazës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Agjencia “Reuters” nuk arriti që ta konfirmonte arsyen e fluturimit të dronëve. Ministria e Jashtme, Ministria e Mbrojtjes dhe agjencia turke e inteligjencës nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Flota ndërkombëtare, e cila përbëhet nga barka civile me të cilat po lundrojnë ligjvënës, avokatë e aktivistë, përfshirë aktivisten e njohur suedeze për klimën, Greta Thunberg, të hënën ndodhej ende qindra kilometra larg bregdetit të Gazës, por po i afrohej një zone ku flota të tjera në të kaluarën janë penguar, thanë personat që janë pjesë e flotës. Në uebfaqet për përcjelljen e lundrimeve shfaqeshin rreth 40 anije si pjesë e flotës.
Avancimi i flotës i ka ngritur tensionet ndërkombëtare, sidomos pasi disa prej anijeve të saj u dëmtuan javën e kaluar nga një sulm me dron. Askush nuk u lëndua, por flota u desh ta ndalte lundrimin për disa ditë në ujërat greke për t’i kryer riparimet e nevojshme para se ta riniste lëvizjen drejt Gazës në fundjavë. Organizatorët thanë të hënën se flota pritet të arrijë në Gaza brenda rreth katër ditëve.
Italia dhe Spanja kanë dislokuar anije ushtarake për ta shoqëruar flotën në rast të nevojës për shpëtim ose nevoja humanitare, por kanë thënë se ato nuk do të angazhohen ushtarakisht. Roja bregdetare greke gjithashtu e ka vëzhguar progresin e flotës gjatë kohës që ajo ndodhej në zonën greke të shpëtimit.
Italia paralajmëroi të dielën se flota po i afrohej një zone me rrezik të lartë dhe përsëriti një propozim të bërë javën e kaluar që flota t’i dërgonte ndihmat në Qipro që më pas ato të dërgoheshin në Gaza nga Kisha Katolike. Sidoqoftë, drejtuesit e flotës e refuzuan këtë ide.
Izraeli nuk e ka komentuar incidentin me dron të javës së kaluar, por më parë ka thënë se do të përdorë secilin mjet për ta parandaluar arritjen e këtyre anijeve në Gaza, duke argumentuar se bllokada e tij detare ndaj enklavës është e ligjshme, përderisa po lufton kundër militantëve të Hamasit atje./Nacionale