Transgjinorëve u ndalohet largimi nga Ukraina, konsiderohen burra
Pavarësisht statusit të tyre ligjor si femra dhe rrezikut në të cilin gjenden për shkak të politikave transfobike të Rusisë, thuhet se grave trans në Ukrainë po u mohohet kalimi në vende më të sigurta.
Judis, një grua transgjinore në Ukrainë, ka ndarë me The Guardian përvojën e saj të dështuar për ikje nga Ukraina.
"Rojet kufitare ukrainase ju zhveshin dhe ju prekin kudo," thotë Judis. "Ju mund të shihni në fytyrat e tyre se ata po pyesin 'çfarë jeni ju?' sikur të jeni një lloj kafshe apo diçka tjetër."
Çertifikata e lindjes e përcakton Judis si femër dhe ligjërisht nuk ka asnjë arsye që të mos lejohet të kalojë kufirin bashkë me mijëra gra të tjera. Megjithatë, më datë 12 mars, pas një kontrolle të gjatë e poshtruese për Judis, rojet në kufi përcaktuan se ajo ishte një burrë dhe e ndaluan të dalë nga Ukraina për në Poloni.
Kujtojmë se më 24 shkurt, Ukraina ka vendosur ligjin ushtarak që ndalon daljen nga vendi për meshkujt mes moshës 18-60 vjeç. Që atëherë, bëhet e ditur se ka pasur qindra persona trans të cilët kanë tentuar të kalojnë kufirin, ku dhjetëra prej tyre janë keqtrajtuar dhe janë kthyer prapa, edhe pse dihet se shumë prej tyre jetojnë me frikën e regjimit transfobik të Rusisë, në rast se kjo e fundit merr pushtetin.
Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Lesbikeve, Gay, Biseksualëve, Trans dhe Intersekseve, Ukraina renditet e 39-ta nga 49 vende evropiane për trajtimin e saj ndaj personave LGBTQ+. Në Ukrainë nuk lejohen martesat e homoseksualëve ndërsa Kisha Ortodokse e Krishterë e konsideron homoseksualitetin një mëkat e në të njejtën kohë nuk ka ligje kundër diskriminimit të personave LGBTQ+.
Që nga viti 2017, personat trans në Ukrainë janë njohur ligjërisht, por duhet t'i nënshtrohen një vëzhgimi të gjerë psikiatrik dhe një procesi të gjatë burokratik përpara se gjinia e tyre të pasqyrohet në dokumentet formale. Të kapur në këtë proces kompleks identifikimi, mijëra trans ukrainas nuk kishin asnjë dokument identiteti apo çertifikatë personale kur shpërtheu lufta.
“Ligji ushtarak thotë se të gjithë meshkujt janë të detyruar të shërbejnë në ushtri, kështu që ata nuk mund të largohen nga vendi,” tha Olena Shevchenko, mbrojtëse e të drejtave të njeriut dhe kryetare e Insight, një nga organizatat e pakta publike ukrainase të LGBTQ+ që punojnë me personat trans. Ajo shtoi se “teknikisht, ligji po zbatohet edhe për personat trans, duke përfshirë si meshkujt trans të çertifikuar ashtu edhe trans femrat që nuk i kanë ndryshuar dokumentet. Por, duket sikur rojet kufitare ukrainase po parandalojnë largimin nga Ukraina edhe të personave trans me një çertifikatë të vlefshme në të cilën pasqyrohet gjinia e tyre, e arsyen e këtij ndalimi nuk e di askush.”
Në nxitimin e tyre për t'u larguar nga fshatrat e bombarduara, mijëra ukrainas nuk u ndalën për të marrë dokumente të tilla si pasaporta, ose thjesht nuk kishin aplikuar kurrë më parë për një pasaportë. Qeveria ukrainase, duke e njohur këtë vështirësi dhe nevojën urgjente për të ndihmuar njerëzit të udhëtojnë drejt sigurisë sapo nisi bombardimi rus, udhëzoi zyrtarët të njohin në kufi çdo çertifikatë identiteti ose dokument – origjinal ose fotokopje.
Por, sapo Judis mbërriti në pikën kufitare javën e kaluar, dy roje e ndaluan dhe i kërkuan që t'i ndiqte në një dhomë pranë zyrës doganore, ku e kontrolluan fizikisht.
“Më pas, një nga rojet tha, 'ti je një djalë, kështu që ik dreqin nga këtu', dhe më tha se duhet të jem mirënjohës që nuk e thirrën policinë, edhe pse unë kam një dokument ligjërisht të vlefshëm që thotë: Unë jam femër,” shprehet Judis.
Disa ditë para pushtimit, ambasadorja e ShBA-së në OKB, Bathsheba Nell Crocker, paralajmëroi në një letër për planin e Rusisë për të vazhduar shkeljet e të drejtave të njeriut në pjesët e Ukrainës që do të pushtojë.
“Këto akte (vrasjet, rrëmbimet/zhdukjet me forcë, ndalimet e padrejta dhe përdorimi i torturës), ju drejtohen atyre që kundërshtojnë veprimet ruse, duke përfshirë popullsitë e cenueshme si minoritetet fetare dhe etnike si dhe personat LGBTQI+,” shkroi Crocker.
Menjëherë pas shpërthimit të luftës, e pas raporteve të shumta të burrave ukrainas që kundërshtonin urdhrat për të qëndruar dhe përpiqeshin të iknin në vendet fqinje, OKB-ja i kërkoi Ukrainës që të marrë një qasje "të dhembshur dhe humane" për zbatimin e ligjit ushtarak.
Ndërsa, Judis shprehet se do të jetë e lirë duke treguar se nuk do të ndalojë përpjekjet për tu larguar nga vendi.
"Dua të jem e lirë të bëj atë që dua në jetë," thotë Judis. “Do të përpiqem sërish të kaloj kufirin sepse është e drejta ime të largohem dhe të jetoj. Dhe nuk do të hesht. Unë nuk do të mbahem e burgosur.”/Nacionale/