“Times”: Britania do ta njohë shtetin palestinez këtë fundjavë
Britania do të njohë formalisht një shtet palestinez këtë fundjavë, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i cili e kundërshton këtë vendim, ta përfundojë vizitën në vend, raportoi gazeta “Times”.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, paralajmëroi në korrik se do ta merrte këtë vendim, nëse Izraeli nuk do të bënte hapa për ta lehtësuar vuajtjen e njerëzve në Gaza dhe nëse nuk do të arrinte armëpushim në konfliktin që nisi para gati dy vjetëve me Hamasin, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Izraeli thotë se njohja e një shteti palestinez, veprim të cilin kanë paralajmëruar se do ta bëjnë këtë muaj edhe Franca, Kanadaja e Australia, do ta shpërblente Hamasin.
Gazeta britanike, pa i cituar burimet e saj, tha se Mbretëria e Bashkuar do ta japë njoftimin për njohjen e shtetit palestinez porsa presidenti amerikan ta ketë përfunduar vizitën e tij të enjten. Ministria e Jashtme e Britanisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Në korrik, Trumpi, i cili tani për tani po realizon një vizitë shtetërore të dytë e të pashembullt në Britani, kishte thënë se nuk do ta pengonte vendimi i Britanisë për njohjen e shtetit palestinez, por prej asaj kohe ShBA-ja e ka bërë të qartë kundërshtimin e saj ndaj një lëvizjeje të tillë nga aleatët evropianë.
Starmer, i cili është nën presion nga disa figura në Partinë Laburiste që të marrë pozicion më të ashpër kundër Izraelit, ka thënë se vendi i tij do ta njohë shtetësinë palestineze në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme, nëse Izraeli nuk ndërmerr hapa thelbësorë për ta përmirësuar gjendjen në Gaza.
Britania për një kohë të gjatë e ka mbështetur politikën e “zgjidhjes me dy shtete” për t’i dhënë konfliktit në rajon, por në të kaluarën ka thënë se një gjë e tillë do të ndodhte vetëm në kohën e duhur./Nacionale