“TikTok”-u ia bllokon fitimet financiare djegësit të Kuranit në Suedi
Aplikacioni i famshëm për video të shkurtra, “TikTok”, ia ka bllokuar fitimet financiare nga përmbajtjet e tij në këtë aplikacion refugjatit irakian, Salwan Momika, i cili ka djegur kopje të Kuranit në Suedi.
Zyrtarët e “TikTok”-ut konfirmuan se platforma e ka deaktivizuar mundësinë që përdoruesit t’i jepnin të holla Momikas, raporton Radio Suedia, përcjell agjencia “Anadolu”.
Nga tani e tutje, përdoruesit nuk do të mund ta shfrytëzojnë opsionin e “dhuratës”, kur i shikojnë videot e Momikas, i cili e ka përdhosur librin e shenjtë të myslimanëve në një varg protestash kundër Islamit, që kanë nxitur zemërim në shumë shtete me shumicë myslimane.
Duke folur për agjencinë suedeze të lajmeve, TT, Momika, i cili jeton në Stokholm, tha se videot e tij, ku e djeg Kuranin, shikohen miliona herë.
Duke theksuar se ka fituar nga 100 deri në 300 dollarë nga “TikTok”-u për një orë gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë, ai tha se nuk ka të ardhura të tjera dhe se aplikacioni ia ka deaktivizuar mundësinë për të siguruar të ardhura.
Gazeta “Aftonbladet” raportoi se Momika ishte dënuar më 2021 për kërcënim me thikë ndaj një azilkërkuese nga Eritera, përderisa ai po qëndronte në një qendër strehimi për refugjatë.
Kjo gazetë shtoi se Momika ishte dënuar me 80 orë punë pa pagesë në shërbim të publikut dhe ishte urdhëruar që t’i paguante një mijë dollarë dëmshpërblim azilkërkuesit.
