“Ti s’je mbreti ynë; kreve gjenocid”: Deputetja australiane i bërtet Mbretit Çarls në publik
Mbreti Çarls i Mbretërisë së Bashkuar është penguar nga një senatore indogjene australiane, e cila e akuzoi për vjedhje të tokës së njerëzve indogjenë, përderisa mbreti përmbylli një fjalim në Shtëpinë e Kuvendit në Canberra.
Mbreti, në vizitë 5-ditore në Australi bashkë me Mbretëreshën Camilla, iu adresua senatorëve të hënën. Ky ishte moment kyç i vizitës së tij në Australi si monark, raporton gazeta “The Guardian”.
Kur ai e përfundoi fjalimin, gjatë të cilit foli për kohën e tij si nxënës në Australi, për pandeminë e koronavirusit dhe për brishtësinë e Australisë ndaj krizës klimatike, senatorja e pavarur nga Viktoria, Lidia Thorpe, iu afrua skenës duke bërtitur me zë të lartë: “Ky nuk është shteti yt.”
“Ti kreve gjenocid kundër njerëzve tanë. Na e kthe tokën tonë. Na e kthe atë që e vodhe prej nesh – eshtrat tanë, foshnjat tona, njerëzit tanë” – shtoi senatorja me zë të lartë, që dallohet për mbrojtjen e të drejtave të njerëzve indogjenë.
“Ti e shkatërrove tokën tonë. Na jep një traktat. Ne duam një traktat në këtë shtet. Ti je gjenocidalist” – i tha më tej senatorja australiane mbretit britanik.
Përderisa zyrtarët e sigurisë po e përcillnin deri te dalja, ajo nuk ndalej: “Kjo nuk është toka jote. Ti nuk je mbreti ynë.”
Ndërkohë, kryeministri i Australisë, Anthony Albanese, tha se ishte njëri ndër nderet më të mëdha në jetën e tij që e kishte udhëhequr delegacionin australian në kurorëzimin e mbretit dhe e çmoi angazhimin e tij në disa çështje, përfshirë krizën klimatike dhe pajtimin./Nacionale