Thuhet se ShBA-ja e zbuloi komplotin rus për ta vrarë shefin e prodhuesit gjerman të armëve - NACIONALE

Thuhet se ShBA-ja e zbuloi komplotin rus për ta vrarë shefin e prodhuesit gjerman të armëve

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shërbimet amerikane të inteligjencës kanë zbuluar një komplot rus për vrasjen e shefit ekzekutiv të prodhuesit kryesor të armëve në Gjermani, “Rheinmetall”. Ky plan ishte përpjekje e qartë për hakmarrje për rolin e kompanisë në ofrimin e një sasie të madhe të armatimit për Ukrainën.

Komploti për ta vrarë gjermanin Armin Papperger ishte njëri prej disa planeve të qeverisë ruse për të vrarë figura të rëndësishme të industrisë së mbrojtjes në disa shtete evropiane, të cilat kanë qenë duke e përkrahur Ukrainën në luftë, i thanë televizionit CNN zyrtarë të paidentifikuar amerikanë e perëndimorë, raporton gazeta “The Guardian”.

Planet për ta vrarë Pappergerin ishin në fazat më të avancuara prej të gjitha komploteve, thuhet të kenë vlerësuar hetuesit.

Autoritetet amerikane i kishin njoftuar menjëherë agjencitë homologe në Gjermani, sipas raportimit të televizionit CNN, dhe siguria për kompaninë “Rheinmetall” dhe shefin e saj ishte shtuar sipas rrethanave.

Pappergeri i tha gazetës “Financial Times” se qeveria gjermane kishte vendosur “nivel të madh sigurie përreth meje”.

Përderisa nuk i konfirmoi drejtpërdrejt rreziqet, gjermani i tha gazetës se raporti i televizionit CNN është i besueshëm, duke shtuar: “Mendoj se televizioni CNN nuk është thjesht duke shikuar lart në qiell.”

Kompania “Rheinmetall” ka refuzuar që të komentojë, por në një deklaratë për media tha se “gjithmonë merren masat e nevojshme” në konsultim të rregullt me autoritetet e sigurisë.

Autoritetet gjermane ende nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment, por një zyrtar qeveritar konfirmoi se Shtetet e Bashkuara e kishin paralajmëruar Berlinin për komplotin ndaj Pappergerit.

“Rheinmetall” është njëri nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të armatimit, duke ofruar predha artilerie, predha tankesh e automjete të blinduara. Kompania e shtoi prodhimin në masë të konsiderueshme pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe është njëra nga furnizueset më të mëdha të Ukrainës me pajisje ushtarake e municion, raporton revista “Der Spiegel”.

Lajme të ngjashme