Thuhet se Irani e ka shqiptuar dënimin e parë me vdekje në lidhje me trazirat e janarit
Një gjykatë revolucionare në Teheran ka shqiptuar një dënim me vdekje për një burrë iranian të akuzuar për “armiqësi kundër Zotit”, masë që, nëse vërtetohet, do të ishte dënimi i parë i tillë i lidhur me protestat masive të janarit, tha një burim i afërt me familjen e të dënuarit.
Burimi i tha të martën agjencisë së lajmeve “Reuters” se sistemi gjyqësor iranian ende nuk e kishte njoftuar dënimin ndaj burrit të identifikuar si Mohammad Abbasi dhe as Gjykata Supreme e Iranit ende nuk e ka shpallur të plotfuqishëm vendimin.
Sipas këtij burimi, Abbasi akuzohet për vrasjen e një oficeri të sigurisë, akuzë që familja e tij e ka mohuar.
Grupet për të drejtat e njeriut thonë se mijëra njerëz u vranë gjatë shtypjes së protestave, që ishin trazira më e madhe brenda vendit që nga periudha e Revolucionit Islamik më 1979.
Gjatë trazirave, presidenti amerikan, Donald Trump, e kishte paralajmëruar Teheranin se ai mund të urdhëronte veprime ushtarake, nëse autoritetet iraniane do të ekzekutonin protestues të dënuar me vdekje.
Burimi tha se e bija e të pandehurit, Fatemeh Abbasi, u dënua me 25 vite burgim për rolin e saj në protesta.
“Të pandehurit nuk kanë qasje tek avokati që e kanë dëshiruar dhe u është dhënë një avokat publik” – shtoi burimi./Nacionale