Thuhet se Hamasi është i gatshëm për të liruar më shumë pengje si pjesë e paktit të ri - NACIONALE

Thuhet se Hamasi është i gatshëm për të liruar më shumë pengje si pjesë e paktit të ri

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Hamasi është i gatshëm për të liruar një numër më të madh të pengjeve si pjesë e një propozimi të ri për armëpushim me të cilin ishte pajtuar më parë.

Raportohet se Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Hamasit se do t’i bëjnë presion Izraelit për të hyrë në bisedime rreth përfundimit të luftës, raportoi të dielën në mbrëmje kanali televiziv saudit “Al-Arabiya”, përcjell gazeta “The Times of Israel”.

Thuhet se bisedimet kanë hasur në ngërç për shkak të kërkesës së Izraelit që Hamasi të lirojë 11 pengje në këmbim të zgjatjes së armëpushimit, ndërsa grupi palestinez ka bërë ofertë që të lirojë vetëm pesë pengje. Sipas raportimeve në fundjavën që shkoi, Izraeli në propozimin e vet më të ri ka shprehur gatishmëri për ta ulur numrin e pengjeve që kërkon të lirohen.

Në raportin e kanalit “Al-Arabiya”, në të cilin u cituan burime të paidentifikuara, thuhet se draftimi i një marrëveshjeje të re është në fazat përfundimtare dhe se Hamasi e ka dhënë pajtimin fillestar për ta rritur numrin e pengjeve që do të lirohen. Në raport nuk u dha numri i saktë i pengjeve që do të mund të liroheshin si pjesë e paktit potencial.

Nëse arrihet një marrëveshje sipas draftit të propozuar, pengjet do të lirohen në dy faza, krahas marrëveshjeve për hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, thuhet në raport.

Më tej, në raportin e kanalit saudit thuhet se përderisa Shtetet e Bashkuara i kanë thënë Hamasit se do t’i bëjnë presion Izraelit për të hyrë në bisedime rreth përfundimit të luftës, diskutimet për atë nëse udhëheqësve të grupit do t’u lejohet qëndrimi në Gaza janë shtyrë për më vonë.

Mediumi saudit gjithashtu tha se sipas marrëveshjes potenciale, pjesëtarët e Hamasit do të ofrojnë raporte mjekësore rreth kushteve të pengjeve që janë duke u mbajtur ende.

Izraeli ka qenë në pritje të një përgjigjeje për propozimin më të ri për armëpushim dhe lirim të pengjeve, pasi një delegacion i Hamasit arriti në Kajro të Egjiptit në fundjavë. Sipas raportimeve në media izraelite, Shtetet e Bashkuara po synojnë që t’u bëjnë trysni palëve për të lëvizur përpara drejt arritjes së një marrëveshjeje.

Gazeta izraelite “Haaretz”, duke cituar burime palestineze të përfshira në bisedime , raportoi të dielën në mbrëmje se Egjipti dhe Katari janë duke punuar me Shtetet e Bashkuara drejt një faze të mundshme shtesë të marrëveshjes për armëpushim e lirim pengjesh, e cila ishte arritur në janar dhe e cila do të përfshinte edhe bisedime për t’i dhënë fund luftës 18-mujore./Nacionale

Lajme të ngjashme