Thellohet përplasja, Musku i kundërpërgjigjet Britanisë pasi s’u ftua në samitin për investime - NACIONALE

Thellohet përplasja, Musku i kundërpërgjigjet Britanisë pasi s’u ftua në samitin për investime

1 vit më parë

nga NACIONALE

Personi më i pasur në botë, Elon Musk, është kundërpërgjigjur, pasi nuk u ftua në Samitin Ndërkombëtarë të Investimeve, që organizohet nga Qeveria e Britanisë.

Ai nuk është ftuar në samit për shkak të shkrimeve të tij në rrjete sociale gjatë trazirave të muajit të kaluar në Britani, merr vesh televizioni BBC.

“Nuk mendoj që ndokush duhet të shkojë në Mbretëri të Bashkuar, kur ata po lirojnë pedofilë të dënuar me qëllim që të burgosin njerëz për postime në rrjete sociale” – pretendoi miliarderi amerikan në rrjetin X.

Më herët këtë muaj, Qeveria britanike liroi disa të burgosur për ta pakësuar mbingarkimin e burgjeve, por në mesin e të liruarve nuk ishte i përfshirë ndonjë i dënuar për shkelje seksuale.

Pas trazirave në Britani muajin e kaluar, disa persona u burgosën për nxitje të kryengritjeve në rrjete sociale.

Dhuna u përhap në mbarë vendin pas një sulmi me thikë në Southport, ku u vranë tre fëmijë që po mbanin një orë vallëzimi. Në atë kohë, Musku kishte shkruar në rrjetin X, duke parashikuar luftë civile në Britani dhe duke e sulmuar në mënyrë të përsëritur me fjalë kryeministrin britanik, Keir Starmer.

Samiti që do të mbahet në tetor është moment kyç që kryeministri Starmer shpreson se do të tërheqë dhjetëra miliarda funte fonde për biznesin nga investitorët më të mëdhenj në botë.

Musku ishte ftuar në këtë samit vitin e kaluar, por nuk kishte marrë pjesë. Megjithatë, ai kishte rol në samitin e nëntorit për inteligjencën artificiale.

Qeveria britanike refuzoi që t’i komentonte mosftesën për ndërmarrësin e teknologjisë dhe kundërpërgjigjen e tij ndaj këtij vendimi./Nacionale

Lajme të ngjashme