Thellohet kriza e urisë në Afganistan, OKB-ja ankohet për mungesë fondesh
Programi Botëror i Ushqimit (PBU), agjenci e Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në disa dekada nuk është në gjendje që t’u ofrojë ndihma efikase miliona afganëve që vuajnë nga kequshqyerja. PBU-ja tha të martën se numri i të vdekurve veçanërisht në mesin e fëmijëve ka gjasa që të rritet këtë dimër.
Ndihmat ndërkombëtare për Afganistanin e rrënuar nga lufta janë pakësuar dukshëm që nga viti 2021, kur forcat e udhëhequra nga ShBA-ja u larguan nga vendi dhe talibanët u rikthyen në pushtet. Kriza është përkeqësuar nga katastrofat e shumta natyrore si tërmetet, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Për herë të parë në dekada, PBU-ja nuk mund të fillojë një reagim domethënës dimëror, ndërkohë duke e shtuar gjithashtu mbështetjen emergjente dhe ushqimore në mbarë vendin” – tha në një deklaratë kjo agjenci, duke shtuar se i nevojiten më shumë se 460 milionë dollarë për t’u ofruar ushqim gjashtë milionë afganëve që janë në gjendje më të brishtë.
“Kur kequshqyerja tashmë është në nivelin më të lartë në dekada dhe me zvogëlimet e pashembullta të fondeve [ndërkombëtare] për agjencitë që ofrojnë shërbime themelore, qasja në trajtim është gjithnjë më e pamjaftueshme” – thuhet në deklaratë.
Programi Botëror i Ushqimit vlerëson se 17 milionë njerëz ballafaqohen me urinë, dukshëm më shumë se rreth 3 milionë nga viti i kaluar. Kjo rritje e numrit është shkaktuar pjesërisht nga dëbimi i afganëve nga Irani e Pakistani fqinj si pjesë e programeve për t’i kthyer emigrantët e refugjatët.
Agjencitë humanitare kanë paralajmëruar se Afganistanit i mungon infrastruktura për të pranuar një fluks të papritur të të riatdhesuarve.
“Jemi të financuar vetëm 12 për qind. Kjo është një pengesë” – tha Jean-Martin Bauer, drejtor për Siguri Ushqimpre dhe Analiza të të Ushqyerit në Programin Botëror të Ushqimit, në një konferencë për gazetarë në Gjenevë. Ai shtoi se 3,7 milionë fëmijë afganë janë të kequshqyer në mënyrë akute, ndërsa 1 milion prej tyre përbëjnë raste të rënda. “Pra, po, fëmijët po vdesin” – tha ai.