“The New York Times”: Dhuna në protestat e studentëve u provokua nga pro-izraelitët - NACIONALE

“The New York Times”: Dhuna në protestat e studentëve u provokua nga pro-izraelitët

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Gazeta e njohur amerikane, “The New York Times”, ka publikuar një artikull hulumtues për përleshjen mes dy grupeve të kundërta të protestuesve në Universitetin e Kalifornisë këtë javë, duke i akuzuar protestuesit pro Izraelit për nxitje të përplasjes së dhunshme.

“Përpos një përpjekjeje të shkurtër për të kapur një altoparlant që përdorej nga kundërprotestuesit dhe shisheve të ujit që largoheshin nga kampi, asnjëra video e analizuar nga “The Times” nuk shfaq ndonjë rast të qartë të protestuesve të kampit duke nisur konfrontime me kundërprotestuesit përtej mbrojtjes së barrikadave” - thuhet në raportin e të përditshmes amerikane.

I plotësuar me një kohështrirje të hollësishme të përleshjeve të së martës, në raportin e gazetës thuhet se kundërprotestuesit pro-izraelitë hoqën pjesë të barrikadës së vendosur përreth kampit dhe hodhën lëndë kimike drejt protestuesve pro-palestinezë.

Në video dhe fotografi të analizuara në këtë raport gjithashtu shfaqen kundërprotestues duke përdorur armë të kampit të improvizuar, si shkopinjtë, konat e trafikut dhe pllaka të drunjta për të sulmuar njerëz brenda kampit të protestuesve.

Në video të tjera shfaqen aktivistë pro-izraelitë, shumë prej tyre të veshur me të zeza e me maska të bardha, duke e sulmuar fizikisht perimetrin e kampit anti-izraelit në hapësirat e universitetit.

Policia arriti në Universitetin e Kalifornisë dy orë pas fillimit të përleshjeve, thuhet në raportim, por nuk ndërhyri dhe nuk i shpërndau kundërprotestuesit për më shumë se një orë.

Përleshja ndodhi pas disa ditëve me tensione të ngritura mes protestuesve që po e kundërshtojnë luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gaza dhe kundërprotestuesve në kohën e një vale të protestave kundër Izraelit në kampuse universitare në pjesë të ndryshme të ShBA-së.

Lajme të ngjashme