"The Guardian": Perëndimi po përgatitet që Putini ta përdorë “cilindo mjet që i ka mbetur” në Ukrainë
Udhëheqësit perëndimorë po përgatiten që presidenti rus, Vladimir Putin, ta përdorë “cilindo mjet që i ka mbetur”, përfshirë kërcënimet bërthamore dhe sulmet kibernetike si kundërpërgjigje ndaj një kundërofensive të pritshme të Ukrainës kundër Rusisë.
Disa zyrtarë britanikë në samitin e ministrave të vendeve të Grupit G7 në Japoni kanë thënë se ata janë duke pritur që Rusia të hakmerret dhe se duhet të jenë të përgatitur për taktika ekstreme, pasi Moska do të përpiqet që t’i mbajë territoret e pushtuara, raporton gazeta “The Guardian”.
Ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev, tha muajin e kaluar se Rusia është e gatshme për kundërofensivën e Ukrainës, duke paralajmëruar se vendi i tij do të përdorë “absolutisht çfarëdo arme”, nëse Kievi përpiqet që ta rimarrë Krimenë, gadishull i aneksuar nga rusët më 2014.
Retorika bërthamore e Rusisë i ka bashkuar ministrat e shteteve të Grupit G7, të cilët lëshuan një deklaratë pas takimit të tyre dyorësh të hënën, duke i dënuar kërcënimet e Rusisë si të papranueshme dhe duke e kritikuar planin e Putinit për të dislokuar armë taktike bërthamore në Bjellorusi.
Zyrtarët e Grupit G7 thanë se pati një “shkëmbim të hapur të pikëpamjeve” në bisedime për qasjen ndaj konfliktit të Ukrainës, përfshirë diskutimet për “perspektivat e së ardhmes” për t’i dhënë fund luftës. Sipas kryeministrit britanik, Rishi Sunak, lufta do të përfundojë në tavolinën e bisedimeve.
Megjithatë, burimet e Zyrës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar sugjeruan se mënyra e vetme për ta zgjidhur përfundimisht konfliktin do të jetë që Putini t’i tërheqë trupat nga Krimea dhe që Perëndimi t’ia japë Kievit mjetet për ta kryer punën.
Një grup transatlantik i ish-diplomatëve të lartë dhe këshilltarëve ushtarakë të nivelit të lartë thanë të hënën se lufta në Ukrainë është rrugës për t’u bërë ngërç, nëse Perëndimi nuk futet “all in” (me të gjitha forcat) dhe nëse nuk e rrit nivelin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën.
Qeveritë e vendeve të Evropës Lindore, në veçanti, e kanë akuzuar presidentin francez, Emmanuel Macron, se ka dështuar që të marrë mësim nga lufta. Pa përkrahjen ushtarake e financiare të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, mbi 30 herë më e lartë se ndihma e Francës, rezistenca ukrainase tashmë do të shkërmoqej, besojnë ato.
Gjatë bisedimeve në Japoni, shtetet e grupit G7 formuan një aleancë për të zhvilluar zinxhirë të përbashkët furnizimi për karburant bërthamor. Synimi i kësaj aleance është nxjerrja e Rusisë nga tregu ndërkombëtar i energjisë bërthamore.

