“The Guardian”: Hamasi po rigrupohet në veri të Gazës për të përgatitur ofensivë të re
Militantë të Hamasit janë rikthyer në veri të Gazës, ku po mobilizohen kundër forcave izraelite dhe po rindërtojnë një sistem qeverisës, thonë zyrtarë të ndihmave, banorë të Gazës, analistë e zyrtarë izraelitë.
Në pjesë të tjera të Gazës, administratorë dhe policë të Hamasit mbajnë kontroll të fortë të jugut, ku është përqendruar një pjesë e madhe e popullsisë, edhe pse rendi civil po shpërbëhet në rajonet qendrore, raporton gazeta “The Guardian”.
Rishfaqja e qartë e Hamasit në zonat e marra dhe të pastruara nga trupat izraelite gjatë ofensivës së gjatë gati katër muaj i nënvizon vështirësitë me të cilat ballafaqohet kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, për ta përmbushur zotimin e tij për ta “shtypur” grupin militant.
Eyal Hulata, i cili deri në janarin e vitit 2023 ishte kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Izraelit, tha: “Po dëgjojmë më shumë, fatkeqësisht, për rimëkëmbjen e kryengritjeje në Gazën qendrore dhe veriore... Po dëgjojmë më shumë e më shumë që Hamasi po bën policim në Gazën veriore dhe po e qeveris tregtinë dhe ky është rezultat shumë i keq.”
Michael Milstein i Institutit për Studime të Sigurisë Kombëtare, organizatë me seli në Tel Aviv, tha se Hamasi e kishte rivendosur kontrollin në disa pjesë të Gazës që ushtria izraelite i kishte kapur pas luftimeve të përgjakshme vitin e kaluar.
Këtu përfshihet një pjesë e madhe e zonës veriore të shkatërruar, përfshirë kampin “Shaati” dhe kampet e refugjatëve në Jabaliya, Shejaiya dhe në qytetin Gaza.
Mistein-i tha: “Hamasi i kontrollon këto zona. Nuk ka kaos apo boshllëk, sepse janë punëtorët e komunës së Gazës ose forcat mbrojtëse të shpëtimit civil, të cilat janë praktikisht pjesë e Hamasit, i cili po e fuqizon rendin publik. Hamasi ende ekziston. Hamasi ka mbijetuar.”
“Versioni i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit është që në pjesën veriore të Gazës, struktura themelore ushtarake e Hamasit ishte thyer... Kjo funksionon vetëm te një ushtri konvencionale, por jo te një operacion fleksibil gueril si Hamasi. Ne tashmë po shohim individë si snajperistë, duke vendosur bomba të kurdisura e kështu me radhë”- shtoi ai.
“Nuk mund të thuhet nëse ata janë kthyer ose nëse nuk ishin larguar kurrë, por cilado qoftë, ata janë aty tani”- tha një oficer i ushtrisë izraelite, njësiti i të cilit rishtazi luftoi kundër militantëve të Hamasit në kampin “Shaati”, skenë e luftimeve të ashpra në nëntor.
Agjencitë e ndihmave që po mundohen të shpërndajnë ushqim, karburante e gjëra të tjera themelore te njerëzit e zhvendosur në jug të Gazës vazhdojnë që të merren me zyrtarë të emëruar nga Hamasi. Ky grup ende ofron eskorta policore për autokolona, edhe pse mbajtja e pushtetit duket se është më e dobët se para luftës.
Zyrtarë të ndihmave kanë raportuar për shumë incidente të plaçkitjes e sulmeve ndaj kamionëve me ndihma, kryesisht në pjesën qendrore të Gazës, e cila nuk kontrollohet as nga Hamasi, as nga forcat izraelite.
Zyrtarët izraelitë pretendojnë se forcat e tyre kanë vrarë rreth 9 mijë nga 30 mijë luftëtarët e Hamasit që vlerësohej se ishin të aftë për t’u mobilizuar para luftës, e cila ishte nxitur nga një sulm i përgjakshëm nga grupi në jug të Izraelit në tetor.
Burime të informuara, të afërta me Hamasin, thonë se ekzistojnë përçarje të thella në këtë organizatë, përfshirë rivalitetet e ashpra në mesin e udhëheqësisë politike në ekzil dhe një çarje mes atyre në Gaza dhe anëtarëve jashtë enklavës.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli