Thatësi rekorde në Katalonjë, ndalohen larja e veturave dhe mbushja e pishinave
Banorëve të rajonit verilindor spanjoll, Katalonjë, do t’u ndalohen larja e veturave dhe mbushja e pishinave sipas disa masave të publikuara të enjten për t’u ballafaquar me thatësinë më të madhe që është regjistruar ndonjëherë në këtë pjesë të shteti evropian.
Masat, të cilat do të hyjnë në fuqi nga e premtja, do të prekin rreth gjashtë milionë njerëz në 200 fshatra, qyteza e qytete, përfshirë qytetin e dytë më të madh në Spanjë, Barcelonën. Këto masa u miratuan pas rënies së rezervuarëve në afro 16 për qind të kapacitetit, raporton agjencia “Reuters”.
Gadishulli Iberik është në periudhën më të thatë në 1.200 vjetët e fundit, sipas një studimi të vitit 2022, duke i detyruar zyrtarët që ta shqyrtojnë dërgimin e ujit në Barcelonë përmes anijeve, masë e miratuar në vitin 2008, kur nivelet e rezervuarëve ishin afër 20-përqindëshit dhe më pak fabrika destilimi ishin në funksion.
Qeveria lokale dëshiron që banorët ta pakësojnë shfrytëzimin e ujit për 5 për qind, ndërsa bujqit deri në 80 për qind. Sipas grupit të parë të masave, të cilat mund të ashpërsohen, nëse gjendja nuk përmirësohet, përdorimi i lejueshëm i ujit do të zvogëlohet në 200 litra për person në ditë, nga 210 sa ka qenë deri më tani.
“Thatësia do të tejkalohet, por ne jemi në një realitet të ri klimatik në të cilin ka më shumë gjasa që do të ketë thatësira të reja dhe që ato do të jenë më intensive” – tha në një konferencë për gazetarë udhëheqësi rajonal i Katalonjës, Pere Aragones.
Drurët do të ujiten vetëm me ujë të mbetur për ta garantuar mbijetesën e tyre, ndërsa mbushja e pishinave boshe do të ndalohet, përfshirë ato që ndodhen në hapësira turistike.
Megjithatë, klubeve garuese të notit do t’u lejohet që t’i mbushin pjesërisht pishinat e tyre të brendshme për aq gjatë sa ato ndërmarrin kundërmasa, si mbyllja e banjave.
Rajoni më i gjerë i Barcelonës tashmë e ka ulur shtypjen e ujit në disa sisteme të furnizimit nëpër qyteza dhe do të shqiptojë gjoba deri në tre mijë euro për shkeljen e kufizimeve, edhe pse qe e paqartë se si autoritetet do t’i vëzhgojnë shkeljet e mundshme.