“Tesla” e shpërblen Muskun me aksione me vlerë të 29 miliardë dollarëve
Prodhuesi i njohur amerikan i veturave elektrike, “Tesla”, i ka dhuruar shefit të saj ekzekutiv, Elon Musk, aksione me vlerë të 29 miliardë dollarëve, në përpjekje për ta mbajtur miliarderin në kompani.
Lëvizja vjen pasi një gjykatë amerikane e rrëzoi pakon e tij të pagesave të vitit 2018, me vlerë të më shumë se 50 miliardë dollarëve, duke vlerësuar se ajo ishte “e padrejtë ndaj aksionarëve”, raporton televizioni BBC.
“Është urgjente që të ruhet dhe të motivohet talenti ynë i jashtëzakonshëm, duke filluar me Elonin” shkroi bordi i kompanisë “Tesla” në rrjetin X, platformë që gjithashtu është në pronësinë e Muskut, duke shtuar se “askush nuk e arrin kombinimin e shquar të përvojës në udhëheqje dhe ekspertizës teknike të Elonit”.
Më tej, kompania tha se miliarderi ka “të kaluar të dëshmuar” në ndërtimin e “bizneseve revolucionare dhe fitimprurëse”.
Kompanitë e teknologjisë që po mundohen në futen në sektorin e inteligjencës artificiale u kanë ofruar shuma të mëdha punëtorëve të rivalëve në përpjekje për t’i bindur ata që t’u bashkohen dhe ta fuqizojnë zhvillimin e tyre.
Themeluesi i rrjetit “Facebook”, Mark Zuckerberg, thuhet se rishtazi është munduar që të joshë zhvillues të kompanisë “OpenAI”, e cila e ka ndërtuar aplikacionin “ChatGPT”, me oferta multimilionëshe.
Ndërkohë, divizioni i inteligjencës artificiale në kompaninë “Microsoft”, i drejtuar nga ish-bashkëthemeluesi i “DeepMind”-it, Mustafa Suleyman, rishtazi ka siguruar disa emërime të reja nga radhët e kompanisë “Google”.
Përpos si shef ekzekutiv në “Tesla”, Musku mban pozita ekzekutive edhe në kompanitë “xAI”, “Neuralink” dhe “The Boring Company”, e cila ndërton tunele dhe projekte të tjera infrastrukturore në ShBA.
Ai rishtazi ka njoftuar se do të tërhiqet nga politike, pas një përvoje të shkurtër si këshilltar i presidentit Donald Trump./Nacionale