Tesla tërheq gati dy milionë vetura nga rrugët e ShBA-së pas hetimit për sistemin “Autopilot” - NACIONALE

Tesla tërheq gati dy milionë vetura nga rrugët e ShBA-së pas hetimit për sistemin “Autopilot”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Prodhuesi i njohur amerikan i veturave elektrike, Tesla, do të tërheqë më shumë se dy milionë automjete, pasi rregullatori i ShBA-së zbuloi se sistemi i saj për asistencë për vozitësin, “Autopilot”, ishte pjesërisht në defekt.

Vendimi erdhi pas një hetimi dyvjeçar të aksidenteve ku ishin të përfshira veturat e kompanisë në pronësi të miliarderit Elon Musk, të cilat kishin ndodhur gjatë përdorimit të sistemit “Autopilot”, raporton televizioni BBC.

Thirrja për tërheqje vlen për pothuajse secilën veturë “Tesla” të shitur në ShBA që nga fillimi i përdorimit të sistemit “Autopilot” më 2015.

Kompania tha se do të ofrojë një përditësim të softuerit “përmes ajrit” për ta rregulluar këtë problem.

Përditësimi bëhet në mënyrë automatike dhe nuk ka nevojë që pronarët t’i vizitojnë dyqanet apo automekanikët, por rregullatori edhe kësaj mase i referohet si tërheqje.

Sistemi “Autopilot” përdoret për ta ndihmuar vozitësin rreth drejtimit, përshpejtimit dhe frenimit, por – pavarësisht nga emri – ky sistem prapëseprapë e kërkon angazhimin e drejtuesit.

Lajme të ngjashme