Tërmet në Bangladesh, pesë të vdekur e rreth 100 të lënduar - NACIONALE

Tërmet në Bangladesh, pesë të vdekur e rreth 100 të lënduar

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Së paku pesë njerëz, përfshirë një fëmijë, e humbën jetën dhe rreth 100 të tjerë u lënduan, kur një tërmet me fuqi prej 5,7 shkallësh e goditi Bangladeshin të premten, tha Qeveria.

Dridhja dëmtoi ndërtesa në shumë zona, përfshirë kryeqytetin Daka me popullsi të dendur, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Tërmeti u ndie edhe në shtetet lindore të Indisë fqinje që kufizohen me Bangladeshin, por nuk pati raportime të menjëhershme për dëme të konsiderueshme atje, sipas autoriteteve.

Muhammad Yunus, udhëheqës i Qeverisë së përkohshme të Bangladeshit, tha se në mesin e të lënduarve ka studentë të Universitetit të Dakës, punëtorë fabrikash në qytetin Gazipur dhe banorë të Narsingdit, që isht epiqendra e tërmetit.

Në deklaratën e tij nuk u dhanë hollësi se si kishin vdekur pesë viktimat. Policia tha më herët se tre njerëz kishin vdekur, kur rrethojat e një ndërtese gjashtëkatëshe ishin shembur gjatë tërmetit.

Disa nga të lënduarit e dërguar në spital nga Narsingdi, rreth 40 kilometra në lindje të Dakës, ishin në gjendje kritike, tha këshilltari shëndetësor, Nirjahan Begum.

“Ndiem një dridhje të fortë dhe ndërtesat po lëkundeshin si drurë. Shkallët ishin të bllokuara, pasi njerëzit po lëshoheshin me ngut poshtë. Të gjithë ishin të tmerruar, fëmijët po qanin” – tha banori Suman Rahman.

Zjarrfikësit thanë se disa njerëz pësuan lëndime nga rënia e tullave dhe copave të betonit nga ndërtesat që ishin ende në ndërtim e sipër./Nacionale

Lajme të ngjashme