Tërmet i fuqishëm prej 7,2 shkallësh në Tajvan, katër të vdekur e disa të lënduar - NACIONALE

Tërmet i fuqishëm prej 7,2 shkallësh në Tajvan, katër të vdekur e disa të lënduar

1 javë më parë

nga NACIONALE

Një tërmet i fuqishëm prej 7,2 shkallësh e goditi Tajvanin të mërkurën, dridhja më e fortë që ka ndodhur në ishull në të paktën 25 vitet e fundit, duke lënë të vdekur katër persona, duke lënduar dhjetëra të tjerë e duke nxitur paralajmërim për cunami për pjesën jugore të Japonisë e Filipinet që më vonë u shfuqizua.

Qeveria tajvaneze tha se katër persona kishin vdekur në distriktin malor me popullsi të rrallë, Hualien, ku ishte epiqendra e tërmetit, ndërsa mbi 50 të tjerë janë lënduar, raporton agjencia “Reuters”.

Së paku 26 ndërtesa janë shembur, më shumë se gjysma prej tyre në Hualien, ndërsa rreth 20 persona kanë mbetur të ngujuar dhe puna e kërkim-shpëtimit po vazhdon, thanë autoritetet.

Epiqendra e tërmetit ishte në thellësi prej 15,5 kilometrash nën sipërfaqen e tokës, sipas Administratës Qendrore të Motit të Tajvanit.

“Ishte shumë i fuqishëm. Dukej sikur shtëpia do të rrëzohej” – tha një punëtor 60-vjeçar spitali, Chang Yu-Lin.

Agjencia japoneze e motit tha se disa valë të vogla cunami arritën në pjesë të prefekturës jugore, Okinawa, ndërsa më vonë kjo agjenci e zbuti paralajmërimin për cunami, duke e bërë vetëm këshillë. Sipas agjencisë japoneze, fuqia e tërmetit ishte 7,7 shkallë.

Edhe Agjencia e Sizmologjisë e Filipineve lëshoi një paralajmërim për banorët e zonave bregdetare në disa provinca, duke u bërë thirrje që të vendosen në terrene më të larta.

Tajvan gjithashtu u lëshua paralajmërim për cunami, por nuk u raportua për dëme prej tij, ndërsa Qendra Paralajmëruese për Cunami në Paqësor në Hawaii tha më vonë se rreziku nga valët e dëmshme të cunamit kishte kaluar.

Dridhje të reja u ndien përsëri në Taipei, sipas një dëshmitari të agjencisë “Reuters”. Më shumë se 25 dridhje pas tërmetit kryesor janë regjistruar, tha administrata qendrore e motit në Tajvan.

Mediat shtetërore kineze thanë se dridhja u ndie në provincën Fujian Kinës, ndërsa një dëshmitar i agjencisë “Reuters” tha se tërmeti u ndie edhe në Shangai.

Lajme të ngjashme