Tërmet i fuqishëm prej 6,1 shkallësh në perëndim të Turqisë - NACIONALE

Tërmet i fuqishëm prej 6,1 shkallësh në perëndim të Turqisë

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Një tërmet i fuqishëm e drodhi pjesën perëndimore të Turqisë të hënën, duke e shkaktuar shembjen e tri ndërtesave, thanë zyrtarët turq. Nuk pati raportime të menjëhershme për viktima.

Tërmeti me fuqi prej 6,1 shkallësh e pati epiqendrën në qytezën Sindirgi të provincës Balikesir, sipas Agjencisë për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave, AFAD. Tërmeti ndodhi në orën 22:48 minuta sipas kohës lokale, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Dridhjet u ndien edhe në Stamboll e në provincat Bursa, Manisa dhe Izmir, raportoi kanali “Haberturk”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya, tha se të paktën tri ndërtesa dhe një dyqan janë shembur në Sindirgi.

“Deri më tani, nuk kemi identifikuar ndonjë humbje jete, por jemi duke e vazhduar vlerësimin tonë” – tha administratori lokal, Dogukan Koyuncu, për agjencinë shtetërore të lajmeve, “Anadolu”.

Televizioni privat NTV i citoi zjarrfikësit të kenë thënë se tri ndërtesa të banuara, që ishin dëmtuar më parë nga një tërmet i mëhershëm, ishin shembur.

Sindirgi ishte goditur në gusht nga një tërmet tjetër me fuqi të njëjtë, me ç’rast një person kishte mbetur i vdekur e disa të tjerë kishin pësuar lëndime.

Nga ajo kohë, rajoni përreth Balikesirit është goditur nga dridhje të tjera më të dobëta./Nacionale

Lajme të ngjashme