Tërmet i fuqishëm në Filipine, katër të vdekur e 60 të lënduar
Katër persona kanë vdekur e 60 të tjerë janë lënduar nga një tërmet i fuqishëm në pjesën veriore të Filipineve, tha të mërkurën ministri i Punëve të Brendshme.
Dy persona vdiqën në provincën Benguet, një në provincën Abra dhe një tjetër në një provincë tjetër, tha sekretari i Brendshëm, Benjamin Abalos, në një konferencë televizive, shkruan agjencia "Associated Press". Agjencia "Reuters" raportoi për katër viktima, ndërsa "AP" për dy.
Tërmeti me fuqi prej 7 shkallësh ishte i përqendruar në provincën Abra, në një zonë malore, tha Renato Solidum, drejtor i Institutit të Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë.

“Toka u drodh derisa isha në luhatëse dhe dritat u ndalën papritmas. Dolëm nga zyra dhe dëgjova bërtitje, disa nga kolegët e mi ishin në lot”, tha Michael Brillantes, zyrtar i sigurisë në qytezën Lagangilang, afër epiqendrës së tërmetit.
“Ishte tërmeti më i fuqishëm që kam ndier dhe mendova se toka do të hapej”, shtoi ai.
Shumë shtëpi dhe ndërtesa kanë pësuar të çara në mure, ndërsa në Abra disa ndërtesa u shembën. Presidenti Ferdinand Marcos, që e mori postin para më pak se një muaji, ka planifikuar që të udhëtojë atje për t’u takuar me banorët dhe zyrtarët lokalë.

Pacientët dhe personeli mjekësor u evakuuan nga të paktën dy spitale në Manila, rreth 300 kilometra në jug të qytezës Lagangilang, por më vonë u këshilluan që të kthehen, pasi inxhinierët gjetën vetëm të çara të vogla në mure.
Filipinet shtrihen në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit”, zonë me aktivitet të lartë sizmik përreth Oqeanit paqësor, ku ndodhin shumica e tërmeteve në botë. Ky shtet gjithashtu goditet nga rreth 20 tajfune e stuhi tropikale në vit, duke e bërë njërin nga vendet më të rrezikuara nga fatkeqësitë.
Më 1990, gati 2.000 njerëz kishin vdekur në pjesën veriore të Filipineve nga një tërmet i fuqishëm prej 7.7 shkallësh./Nacionale